E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit: Ministri me pseudonim në qeveri

Pas nisjes së debatit për hapjen e dosjeve të kohës së diktaturës, reagojnë edhe ish të përndjekurit dhe të dënuarit politikë. 

Sipas sekretarit të përgjithshëm të të përndjekurve, Besim Ndregjoni, "spiunët" janë futur edhe në qeveri. "Ndodhet një ministër në kabinet, mesa di unë, por që nuk dua ta jap emrin, se s'dua të bëj rolin e dëshmisë, por që ka një pseudonim shumë të bukur 'përrenjasi'. Ka edhe disa zv.ministra, p.sh. lapsi", ka deklaruar Ndregjoni në një intervistë për "Vizion Plus". I kontaktuar nga gazeta, ai ka ngurruar të japë më shumë informacion rreth fakteve të mbledhura nga të përndjekurit për "spiunët" e kohës së diktaturës, teksa beson një gjë të tillë do ta bëjë komisioni i verifikimit të figurave që pritet të ngrihet pas miratimit të ligjit të ri në Kuvend. I pyetur nëse gjatë takimeve me Kryeministrin Berisha dhe me Presidentin Topi është ngritur çështja e përfshirjes së zyrtarëve me dosje në qeveri, Ndregjonji thotë se ky ka qenë një shqetësim konstant i të përndjekurve në të gjitha takimet me zyrtarët e lartë. "Ia kam kërkuar edhe Presidentit, edhe Kryeministrit, që zyrtarët me dosje gjatë kohës së regjimit komunist të mos jenë pjesë e niveleve drejtuese të vendit. Në takimin e fundit, Presidenti Topi ishte dakord, por më ka thënë që duhet të miratohet ligji, që ndalon emërimin dhe dekorimin e zyrtarëve me dosje, në rast të kundër një gjë e tillë nuk mund të parandalohet. Për këtë fajin e ka Parlamenti", theksoi Ndregjoni. Sipas tij, "edhe me Kryeministrin Berisha e kam ngritur këtë çështje dhe i kam kërkuar të dënohen krimet e komunizmit dhe të hapen dosjet".
Katër draftet
Në këto tri javë që kanë ngelur deri në përfundim të sesionit parlamentar, pritet të ketë një debat të fortë në Parlament përsa i përket hapjes së ligjit të dosjeve. Prej gati dy vjetësh në zyrat e Kuvendit ndodhen tre drafte të paraqitura nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Republikane. Por një muaj para mbylljes së punimeve të Kuvendit, u rihap çështja e dosjeve të spiunëve të sigurimit. Pak ditë më parë edhe deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, paraqiti në Parlament një draft, i cili sipas tij është një bashkim i tre drafteve të paraqitura më parë. Por edhe në këtë çështje duket se nuk ka konsensus në grupin e PD-së. Fillimisht, Biberaj deklaroi se drafti që ka paraqitur në Kuvend ka edhe pëlqimin e Kryeministrit Berisha. Në draftin e propozuar prej tij, përcaktohen kategoritë që do të verifikohen si dhe papajtueshmëria e funksioneve, çka do të thotë se ish-zyrtarët e regjimit, të cilët kanë mbajtur një seri postesh, të përcaktuara në nenin 4, nuk do të mund të zgjidhen dot në nivele të larta drejtuese. Të tillë janë ish-anëtarët ose kandidatët e byrosë politike, ish-anëtarët ose kandidatët e komitetit qendror të partisë, ish-ministrat, ish-anëtarët e këshillit presidencial etj. Kështu, dy prej deputetëve të parë që do të lënë politikën, nëse ky variant i paraqitur nga deputeti Biberaj do të miratohet, janë ish-ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi dhe ish-ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi. Ndërkohë, një ditë më vonë, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Aldo Bumçi, deklaroi se të drejtën për t'i shkrirë tre p/ligjet në një të vetëm e ka pikërisht ky komision. Bumçi tha se në mbledhjet e ardhshme të komisionit do të shqyrtohet edhe drafti i paraqitur nga deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, ndërkohë që, sipas tij, do të priten edhe mendime apo amendime të deputetëve të tjerë të Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›