E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit politikë kërkojnë 20 kandidatë për deputetë brenda të djathtës

Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e ish të Përndjekurve Politikë-Ekonomikë (ish Kulakë) të cilat përfaqësojnë mbi 450.000 votues shqiptare, baza e elektoratit të djathtë dhe votues të së djathtës për 18 vite të pluralizmit kanë kërkuar 20 kandidatë për deputetë në të gjithë vendin, brenda koalicionit të djathtë. Kandidaturat tona janë potenciale, akademike, universitare, me një moral dhe fisnikëri të lartë kombëtare dhe përfaqësojnë votuesit fisnikë, pronarë dhe qëndrestarë të diktaturës komuniste, përfaqësojnë 450.000 votues të kësaj popullsie. 20 kandidatët tonë janë potenciale, që i shërbejnë kombit dhe shoqërisë. Që i shërbejnë Partisë Demokratike, dhe të djathtës në përgjithësi, shprehet sekretari i përgjithshëm, Besim Ndregjoni. Nëpërmjet kësaj deklarate, këto shoqata i bëjnë thirrje mazhorancës dhe opozitës se nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme pa aprovuar ligjin e lustracionit dhe pa pastruar politikën nga politikanë që kanë qenë në shërbim të diktaturës komuniste. Gjithashtu ata bëjnë thirrje për mirëkuptim mes partive politike për një proces zgjedhor sa më dinjitoz. Në emër të mijëra shqiptarëve që u martirizuan për demokracinë, i bëjmë apel faktorit politikë si pozitës dhe opozitës që të punojmë së bashku për të realizuar një proces zgjedhor sa më transparent dhe të rregullt. Është koha e vlerave dhe jo e revolucionarëve demagogë të antivlerave, ka shtuar Ndregjoni. Sipas tij, ka ardhur koha që në një vend që zhvillon zgjedhje të lira dhe që është anëtar i NATO-s të përfaqësohet në Kuvendin e ardhshëm me të vërtetën, me ata shqiptarë që kanë një kapital shumë të lartë moral, shoqëror dhe politik. Ndregjoni ka nënvizuar se përfaqësimi i tyre në këto zgjedhje është dhe një mirënjohje ndaj atyre shqiptarëve që ishin dëshmorët e parë të NATO-s në Shqipërinë e uzurpuar nga diktatura kriminale, komuniste, enveriste. Kërkesa e këtyre shoqatave mbështetet në të drejtat statutore të Partisë Demokratike, në Kushtetutën e vendit, si dhe në obligimin kombëtar dhe ndërkombëtar të forcave të djathta që kanë marrë përsipër për të zbatuar Rezolutën e Këshillit të Europës për të dënuar krimet e komunizmit dhe për të bërë demokustizimin e shoqërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›