Topalli: Lufta kundër kancerit, prioritet i qeverisë në mandatin tjetër
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të turit të saj Gratë për fitoren, u ndal në qytetin e Krujës, ku u takua me gra e vajza të këtij qyteti, të cilat i ftoi, që së bashku të vazhdojnë projektin e Shqipërisë që ndryshon. Gjatë këtij takimi, Topalli apeloi sërish në drejtim të kujdesit që gratë duhet të tregojnë për shëndetin e tyre, në parandalimin e sëmundjeve të shekullit.
Ftoj të gjitha gratë që të bashkohen me ne. Njeriu nuk mund të ecë përpara duke qëndruar anash, por mund të ecë vetëm duke guxuar. Asnjeri nuk duhet të negociojë (të bëjë pazare) me ëndrrat tona. Asnjëherë nuk duhet të hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Ftoj të gjitha zonjat e Krujës dhe gratë e vajzat në të gjithë Shqipërinë që, së bashku, të vazhdojmë projektin tonë të Shqipërisë që ndryshon, deklaroi Topalli. Duke shfrytëzuar këtë takim, ajo ka ftuar çdo grua për parandalimin e sëmundjeve të shekullit. Ne, gratë kemi një filozofi të thjeshtë: Mos prit derisa çdo gjë të jetë në rregull. Asnjëherë sdo të jetë perfekt, e përkryer. Gjithmonë do të ketë sfida, pengesa dhe aq më pak kushte perfekt. Dhe atëherë? Mos rri, ngrihu. Fillo tani. Në çdo hap që hedh do bëhesh gjithnjë edhe më e fuqishme, gjithnjë e më e aftë, gjithnjë e më vetëbesuese dhe gjithnjë e më e suksesshme, theksoi Topalli. Gjatë fjalës së saj ajo cilësuar si prioritet të qeverisë luftën kundër kancerit. Sipas saj, në mandatin e ardhshëm, lufta kundër kancerit do të jetë edhe më e madhe.