E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit protestojnë kundër provokimeve të Edi Ramës në Shkodër

Ditën e djeshme gjatë vizitës së Edi Ramës në qytetin e Shkodrës kanë qenë të persekutuarit që kanë protestuar kundër veprimeve të tij. Vizita e djeshme e kreut socialist, Edi Rama në ish-burgun komunist në qytetin e Shkodrës,  për të përndjekurit ka qenë  provokim i ahpur,  pasi Rama drejton atë forcë politike që nuk e ka votuar ligjin e genocidit dhe po bën përpjekje për ta deklaruar të pavlefshëm ligjin. Ai është kryetari i partisë që mban mbi vete dhe është trashëgimtare e regjimit më gjakatar në Shqipëri. Ne i themi Edi Ramës të ndalojë provokime të tilla, të cilat na indinjojnë dhe ngacmojnë kujtesën e gjithë popullit, thuhet në deklaratë. Ish të përndjekurit politikë thonë në deklaratën e tyre se Rama duhet të ndalë të tilla provokime, duke qenë se është dhe kryetar i një parti që nuk ka votuar ligjin për hapjen e dosjeve dhe do ta shpallë atë të pavlefshëm Por, mësohet se, reagimi i ish të përndjekurve politikë në ish-burgun komunist ka ardhur pas disa zërave mbi atë çfarë Edi Rama kishte deklaruar gjatë vizitës në ambientet e tij. Kjo pasi, këto zërat hedhin dyshimin se Edi Rama është shprehur pro kthimit të ish-burgut në muze, ambientet e të cilit aktualisht janë gërmadha, ndërsa një pjesë manastir për murgesha. Por, gjatë vizitës së djeshme në ambientet e ish-burgut komunist, te ish dega e Brendshme në Shkodër, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka pasur dhe një incident me mediat. Siç bëjnë të ditur përfaqësues të medias, kryetari i PS, Edi Rama nuk ka lejuar që mediat lokale të ndjekin nga afër vizitën e tij në ambientet e ish burgut komunist. E vetmja kamerë që e ka regjistruar vizitën ka qenë vetëm ajo e Partisë Socialiste dhe kur mediat e tjera kanë kërkuar të pasqyrojnë aktivitetin, Rama nuk i ka lejuar, duke pretenduar që fillimisht kronika duhej të transmetohej në televizionin Top Channel, e më pas në televizionet e tjera, qoftë edhe lokale. Kjo ka sjellë irritimin e përfaqësuesve të medias të pranishëm.

Email This Klikime: 4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›