E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oborret në përdorim, gati hipoteka

18/02/2009  Zbardhen pikat e para të projektligjit të trojeve të dhëna për ndërtim banese para vitit 1991

Shtrirja e problematikës në gjithë zonat e Shqipërisë ka kërkuar një ligj të posaçëm

Oborret në përdorim do të kalojnë në proces hipotekimi brenda pak muajve. Ndërsa procedurat për realizimin e këtij procesi do të jenë të lehtësuara. Burimet kanë bërë të ditur se ka nisur studimi i situatës mbi këtë çështje, ku janë duke u vlerësuar të gjitha ndërtesat e ndërtuara para vitit 1991, por që nuk mund të regjistrohen si të tilla në hipotekë për shkak se trualli është ende i shtetit. Ekspertët kanë bërë të ditur dje për “Metropol” se palët që do të përfitojnë në regjistrimin e këtyre trojeve do të paguajnë një faturë të reduktuar, por që do t’u krijojë mundësinë e përfitimit të tokës së tyre.

Hipotekimi

Burimet kanë bërë të ditur se sërish do të kërkohet bashkëpunimi i palëve të interesuara në realizimin e procesit. Ndërsa gjithçka do të nisë me një vetëdeklarim të sipërfaqes si dhe me dorëzimin e dokumentit ku vërtetohet dhënia e lejes së ndërtimit para vitit 1991. Kjo do të mbetet baza për verifikimin e mëtejshëm si dhe të ballafaqimit të të dhënave me sipërfaqet e kufitarëve të trojeve për të cilët do të kërkohet legalizimi. Gjithsesi burimet kanë bërë të ditur se ende nuk është arritur në një draft përfundimtar që do të sjellë dhe përfundimin e kësaj çështjeje.

Një tjetër pikë që ka mbetur pezull është dhe shuma që do të duhet të paguajë një familje për të marrë hipotekën dhe të truallit që kanë në përdorim. Burimet kanë bërë të ditur se pritet që çmimi të vendoset sipas ligjit për privatizimin e banesave të vitit 1993, por duke i shtuar dhe indeksin e rritjes së çmimeve. Ndërsa qëndron dhe një tjetër propozim për uljen e mëtejshme të këtij çmimi për faktin se këto oborre janë tashmë në zotërim, dhe pse të paregjistruara, të familjeve që kanë ndërtesën. Ndërsa pritet të ketë dhe një rishikim të sipërfaqes që kalon në pronësi me sipërfaqet që këto familje mund të kenë kërkuar për kompensimin e pronave të tyre. Gjithsesi dy ditë më parë Kryeministri Berisha ka deklaruar se shumë shpejt do të paraqitet dhe një projekt përfundimtar që do të zgjidhë përfundimisht këtë çështje.

Përplasja

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, trojet që jepeshin për ndërtime banesash konsideroheshin shtetërore, ndërsa vetëm muret kalonin në pronësinë e familjes që kishte bërë ndërtimi. Ndërkohë pas vitit 1991, nuk u realizua shitja e këtyre trojeve tek familjet që kishin bërë ndërtimin. Kjo ka sjellë dhe një handikap në realizimin e regjistrimit të pronës në ZRPP. Ndërkohë që deri më tani janë miratuar disa vendime, por që nuk kanë sjellë konkretizimin përfundimtar të çështjes. Kështu deri në dhjetor të vitit të shkuar ishte në fuqi vendimi për regjistrimin e këtyre pronave kundrejt një pagese prej rreth 10 mijë lekësh për m2 truall. Ndërsa gjatë punimeve të Kuvendit të katër viteve më parë u diskutua që pagesa në këto raste të mos ishte më shumë s e1 mijë lekë për m2. Gjithsesi në procedurat e ndjekura është vënë re nevoja për në ligj të plotë dhe jo vetëm për vendime plotësuese.

Diskutohet procedura ligjore dhe çmimet

Vendimi i mëparshëm kërkoi vetë deklarimin

Në vendimin e propozuar rreth një vit më parë kërkohej që pronësinë dhe kufijtë e pasurisë së paluajtshme, që kërkon të regjistrojë, kërkuesi, duhet ta provojë me dokumentet e pronësisë në kuptim të nenit 193, të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Për këtë do të merren dhe firmat e kufitarëve dhe në rast kur toka ka në kufi shtetin do të duhen dokumentet prej hipotekës. Ndërkohë si bazë në zbatimin e këtij vendimi u kërkua leja e dhënë nga komitetet e asaj kohe për ndërtimin e një banese. Gjithsesi duket se për realizimin e plotë të kësaj çështjeje do të kërkohej një ligj edhe më i plotë. Kjo dhe për shkak se shtrirja e problemeve me oborret në përdorim prek gjithë Shqipërinë dhe një numër të madh të popullsisë. Kështu në shumë raste është parë dhe regjistrimi i truallit në hipotekë, por pa një sipërfaqe konkrete duke e lënë këtë pikë të pazgjidhur. Burimet kanë bërë të ditur se dhe në iniciativën që pritet të miratohet brenda muajit, do të ketë nene të përcaktuara qartë dhe për saktësimin e sipërfaqes në këto raste. Por ndërsa për rastet e oborreve në përdorim, për truallin e regjistruar në hipotekë në pronësi, por pa sipërfaqen përkatëse, nuk pritet të bëhet pagesë shtesë. Kjo me përjashtim të faturës që do të përballohet për shpenzimet administrative.

Gjithsesi pritet që për realizimin e procesit të përfshihen Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave si dhe hipotekat. Kjo nëpërmjet ndjekjes së procedurave si dhe verifikimin e të dhënave prej ekspertëve që kanë këto dy institucione. Faktikisht në AKKP disa muaj më parë nisi regjistrimi i oborreve në përdorim, sipas një vendimi të posaçëm. Por për shkak të një afati shumë të ngushtë kohor, vetëm 38 familje paraqitën kërkesat e tyre në Tiranë. E prej tyre vetëm pa morën miratimin përfundimtar prej AKKP dhe regjistrimin në hipotekë. E njëjta sipërfaqe ishte dhe për njësitë në rrethe, edhe pse vihej re një interesim më i madh për regjistrimin e oborreve në përdorim.

Rastet e veçanta të regjistrimit të menjëhershëm

Pasuritë e paluajtshme, për të cilat në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk rezulton të jetë marrë vendim nga regjistruesi për përcaktimin e sipërfaqes, sipas shkronjës “b”, të nenit 24, të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, edhe pse janë paraqitur deklaratat noteriale të kufitarëve, kur këto pasuri ndodhen të pozicionuara, gjeografikisht, në zona kadastrale, për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive, sipas neneve 23-27, të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar gjatë të cilit sipërfaqja dhe pozicioni gjeografik i tyre është përcaktuar nga matjet në terren dhe pasuritë janë regjistruar në një kartelë dhe hartë treguese regjistrimi në emër të pronarit, do të vlerësohen se e kanë të përcaktuar sipërfaqen pa qenë e nevojshme të zhvillohet procedurë regjistrimi fillestar, sipas shkronjës “b”, të nenit 24, të ligjit të sipërpërmendur me kusht që gjatë periudhës së afishimit publik, të mos ketë asnjë pretendim të pazgjidhur për pozicionimin e pasurisë, kufijtë dhe sipërfaqen.

Rastet me shtetin kufitar

Kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi, janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj. Deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar, i dhënë nga bashkia/njësia bashkiake apo komuna përkatëse, e cila është pronare apo administron pronën shtetërore, pavarësisht faktit nëse bashkia apo komuna është e regjistruar si pronare apo administratore e pasurisë në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Në rastin kur pasuritë publike, kufitare me pasurinë për të cilën është paraqitur kërkesë për regjistrim, janë të regjistruara në zyrën e Regjistrimit, në emër të një enti tjetër shtetëror, të ndryshëm nga bashkia apo komuna, konfirmimi duhet të bëhet nga titullari apo personi i autorizuar nga ky ent.

Rastet e refuzimit të firmës së kufitarëve

Kur në kufi të pronës janë prona të individëve, persona, fizikë apo juridikë, privatë a shtetërorë, të cilët nuk e kanë të regjistruar pasurinë në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, deklarata noteriale e pronarit kufitar do të zëvendësohet nga një deklaratë noteriale, e bërë nga këta persona, në cilësinë e poseduesit të pasurive kufitare. Në këtë rast, përveç deklaratës noteriale të poseduesit të pasurisë kufitare, zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme më poshtë (ZRPP) procedon edhe me shpalljen e genplanit apo të planvendosjes së pasurisë, sipas procedurës së parashikuar në pikën 10, të këtij vendimi.

Kur deklarata e kufitarëve të pasurisë, për të cilën kërkohet regjistrimi, sipas shkronjës “b”, të nenit 24, të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994, për arsye të ndryshme, objektive, me përjashtim të pretendimeve për kufirin e pasurisë, nuk është bërë e mundur të sigurohet, ZRPP-ja, afishon për publikun genplanin apo planvendosjen e pasurisë, për një periudhë prej 45 ditësh, në mjedise të dukshme të ZRPP-së dhe: a. të njësisë bashkiake, në territorin e së cilës ndodhet pasuria; b. në territorin ku ndodhet pasuria, për të cilën është bërë kërkesa për regjistrim.

U kërkua kompensimi me 500 m2 truall

Sipërfaqet në përdorim mbesin pezull në Kuvend

Veç oborreve në përdorim, në Kuvend ka mbetur pezull çështja e trojeve të ndara sipas ligjit 7501, por që kanë mbetur ende në përdorim. Sipas propozimit të Qeverisë, janë rreth 8 mijë familje që kanë mbetur ende të paqarta për truallin që zotërojnë. Ndaj dhe duke parë se ligji 7501 nuk lejonte ndarjen e trojeve, por sanksiononte kthimin e këtyre sipërfaqeve tek i zoti, është kërkuar që këto toka të hiqen nga përdorimi. Kjo duke i kaluar në zotërim të ish-pronarëve. Ndërkohë që familjet, të cilat i kanë në përdorim do të përfitojnë 500 m2 truall që do t’i kenë në pronësi të tyre. Edhe pse propozimi ka disa muaj që diskutohet në zyrat e Kuvendit deri më tani nuk ka gjetur rrugën e miratimit. Edhe pse deputetët janë shprehur parimisht dakord për këtë çështje.

Gjithsesi duket se do të jetë propozimi për oborret në përdorim që do t’i japë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje duke sjellë ndoshta dhe në vendim të fundit për çështjen e së drejtës së pronësisë në vend. Burimet kanë bërë të ditur se pritet që projekti i dorëzuar në Kuvend të shkrihet me propozimin që pritet të miratohet së shpejti në Qeveri duke i hapur rrugën dhe vendimeve të para mbi këtë pikë.

Hetimi nga komisionet

Veç zgjidhjes së oborreve dhe sipërfaqeve në përdorim, Qeveria ka marrë dhe nismën e verifikimit të tokave të ndara me ligjin 7501. Burimet kanë bërë të ditur se në të 12 prefekturat janë grumbulluar rreth 5 mijë dosje, të cilat po verifikohen nga ekspertët e komisioneve të drejtuara prej prefektëve. Ndërsa me prioritet mbetet verifikimi i titujve të dhënë në zonat turistike apo zhvendosja e vijës së verdhë të qyteteve apo komunave. Gjithashtu pikë kyçe kanë mbetur dhe tokat pyjore të ndara si bujqësore prej komisioneve të asaj kohe. Ekspertët kanë bërë të ditur se është pikërisht procesi i verifikimit të tokave në këto zona që ka sjellë dhe bllokimin e disa transaksioneve të titujve të pronësisë për disa zona.

Dokumentet që u kërkuan

Çdo subjekt, i cili zotëron aktin e fitimit të pronësisë, sipas përcaktimit në nenin 193, të Kodit Civil, për pasuri, të cilat nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen për pozicion gjeografik dhe sipërfaqja e tyre është përcaktuar gjatë regjistrimit sistematik të pasurive të zonës kadastrale, ku ndodhet kjo pasuri, për regjistrimin e pasurisë në pronësi të tij, kur gjatë regjistrimit fillestar, pasuria është regjistruar me pronar “të pavërtetuar”, duhet të paraqesë në zyrën e Regjistrimit, edhe këto dokumente:

a. Aktin e fitimit të pronësisë;

b. Një planvendosje apo genplan të pasurisë;

c. Deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare.

7. Kërkesa për regjistrim fillestar pronësie, sipas shkronjës “b”, të nenit 24, të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994, në rastin kur kërkuesi zotëron dokumente pronësie për truallin ose për truallin dhe objektin mbi këtë truall, duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

a. Dokumentin (aktin e fitimit të pronësisë), sipas nenit 193, të Kodit Civil, të regjistruar ose të paregjistruar në regjistrin hipotekor;

b. Deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë, që pretendohet nga kërkuesi;

c. Planvendosjen/genplanin e pasurisë (i njëjtë me atë, që i bashkëlidhet deklaratave noteriale apo konfirmimeve të entit shtetëror);

ç) Dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë, që pretendohet;

d) Mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime të tjera, nëse ka të tilla).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›