Vetëdorëzohet Kapiti, vrau pas konfliktit për pronën
Pas negociatave të familjarëve me policinë dhe vetë të afërmin e tyre, është vetëdorëzuar në polici në orët e mesnatës Gani Kapiti, i cili para pak ditësh vrau me armë për motive pronësie një person në qytetin e Durrësit. Vetëdorëzimi është kryer pas publikimit në media të konfliktit që kishte prej disa javësh autori me viktimën, hapat që kishte ndërmarrë për shuarjen e tij, si dhe vrasja e kryer pas një debati të radhës mes palëve në konflikt. Shkak për debatet e shpeshta mes tyre dhe që degjeneruan në përdorimin e armëve, sipas edhe të afërmve të autorit Kapiti, ka qenë një gropë e madhe që ishte hapur ngjitur me lokalin “Drenica” në pronësi të Kapitit. Fillimi i punimeve për ngritjen e ndërtesës ngjitur kishte shkaktuar të çara të mëdha në lokalin e Kapitit, duke e detyruar atë t’u drejtohet organeve kompetente për pezullimin e punimeve. Por, ndonëse inspektorët e bashkisë kishin pezulluar punimet dhe i kishin vendosur gjobë viktimës nga Shijaku, punimet vazhdonin duke rrezikuar shembjen e lokalit “Drenica”. I gjendur përballë kësaj situate, Gani Kapiti qëllon nga oborri i lokalit me çifte 41-vjeçarin Agron Bodlli, i cili është plagosur rëndë dhe ka humbur jetën pak orë më pas. Pas negociatave me familjarët e tij dhe atyre të familjarëve me policinë, dy net më parë duke u gdhirë dita e djeshme, Kapiti vendos të vetëdorëzohet duke shkuar drejt Drejtorisë së Policisë së Durrësit, ku iu komunikua akuza “vrasje me dashje” dhe masa e arrestit, marrë në mungesë.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi në datën 19 maj rreth orës 14:50. 43-vjeçari qëlloi për vdekje me çifte 41-vjeçarin Agron Bodlli me armë gjahu, duke i shkaktuar atij vdekjen. Pasi kishte kryer krimin, 43-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes duke u vetëdorëzuar dy net më parë, pas negociatave të kryera. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. I ndaluari akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Sipas burimeve policore, midis autorit dhe viktimës kishin nisur sërish përplasjet e vjetra, për një ndërtim të saponisur pranë një hoteli në lagjen 13 në plazh. Sipas hetimeve të para, mësohet se shtetasi nga Shijaku, Agron Bodlli, sapo kishte nisur një ndërtim ngjitur me hotelin e Gani Kapitit, ndërkohë që ky i fundit pretendonte se po i dëmtohej objekti nga mjetet e rënda. Si edhe herët e tjera, ata kanë nisur që të debatojnë. Por duket se gjakrat janë nxehur më shumë, ndërsa midis të dy personave të përfshirë në konflikt nuk është gjetur zgjidhja. Gani Kapiti ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë armën e gjahut të cilën e mbante dhe ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit Bodlli. Si pasojë e plumbave të marrë, 41-vjeçari ka pësuar dëmtime serioze duke mbetur i plagosur rëndë. Menjëherë ndaj tij është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e qytetit të Durrësit. Gjendja e tij u rëndua akoma më shumë dhe ai qëndroi në vdekje klinike për disa orë, përpara se të mos arrinte dot t’u mbijetonte plagëve të marra, duke humbur kështu jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e shumta policore, të cilat nuk kanë mundur ta kapin autorin e vrasjes, pasi ky i fundit pas krimit u largua menjëherë dhe policia është vënë në ndjekje të tij.