E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë protesta ndaj racizmit të ushtarëve grekë

30/03/2010 Në Shkodër e Durrës të rinjtë djegin flamurin grek. Protesta së shpejti në Tiranë

Thirrjet raciste antishqiptare të ushtarëve grekë kanë shkaktuar reagimin e studentëve të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ka qenë Unioni Studentor i këtij universiteti që ka organizuar dje paradite një protestë, e cila ka përfunduar dhe me djegien e flamurit të Greqisë në mes të qytetit të Shkodrës.

Zemërata e të rinjve

Sipas drejtuesve të këtij unioni studentor, protesta është kundërpërgjigje e drejtë ndaj të gjitha thirrjeve skandaloze raciste të ushtarëve grekë që këndonin me fjalë fyese për shqiptarët. Studentët e Universitetit të Shkodrës e kanë filluar protestën e tyre që nga ndërtesa e Rektoratit dhe më pas të mbuluar me flamuj shqiptarë, me pankarta në duar kundër fyerjeve të ushtarëve të Greqisë e madje dhe me thirrje pankarta për Shqipëri etnike, janë nisur në drejtim të sheshit kryesor të qytetit, ku dhe janë vendosur flamujt e vendeve anëtare të NATO-s. Në zemërim e sipër ndaj thirrjeve të marinës greke ka sjellë dhe heqjen e flamurit të Greqisë nga grupi i flamujve të NATO-s dhe djegien e tij në mënyrë demonstrative. Drejtuesit e Unionit Studentor të Universitetit të Shkodrës shprehen se këto protesta nuk do mbeten me kaq, pasi nuk është hera e parë që nga Greqia vijnë fyerje të ulëta raciste kundër shqiptarëve dhe simbolit tonë kombëtar. Në fund të protestës së organizuar në Shkodër, studentët e Universitetit të Shkodrës i janë drejtuar Tiranës për të zhvilluar një tjetër protestë, por kësaj radhe para ambasadës së shtetit grek. Ndërkohë dhe në Durrës ka pasur të njëjta reagime nga të rinjtë. Shumë prej tyre të veshur me simbole kombëtare dhe me flamurin grek në dorë të rinjtë kanë manifestuar veprime agresive në sheshin kryesor të qytetit të Durrësit. Ata janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe kjo u ka dhënë mundësi të djegin në publik flamurin grek, ndërsa sapo ka mbërritur policia manifestuesit janë shpërndarë duke lënë vetëm hirin e flamurit të djegur grek. Thirrjet raciste të flotës detare greke kanë pasuar me zemëratë në komunitetin shqiptar brenda e jashtë vendi. Reagimet e para publike në Durrës janë manifestuar nga studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe më pas nga shumë të rinj të tjerë. Ata kanë mundur të gjejnë flamur grek dhe t’i vënë flakën, por në asnjë rast studentët apo të rinjtë e tjerë nuk kanë bërë thirrje antikombëtare dhe raciste. Policia ka kërkuar ndihmën e shërbimit komunal për të fshirë hirin e mbetur nga flamuri grek i djegur, si dhe copat e hedhura gjithandej në sheshin “Liria” në Durrës. Demonstrimi ka zgjatur disa minuta dhe është zhvilluar në shkallët e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Administrata e bashkisë, prefekturës dhe qarkut janë bërë dëshmitarë të skenës së djegies së flamurit të huaj, ngjarje e cila është përcjellë edhe nga kalimtarë të rastit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›