Të shtënat në kufi tensionojnë marrëdhëniet Turqi-Siri
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Sirisë u tensionuan dje pas të shtënave në vijën kufitare mes dy vendeve, ku gjashtë persona mbetën të plagosur në kampin turk të refugjatëve. Sulmi ka zemëruar zyrtarët në Ankara, një ditë para vizitës së përfaqësuesit special nga OKB dhe Liga Arabe për paqen në Siri, Kofi Anan. Viktimat ishin katër sirianë dhe dy turq, të cilët u plagosën në sulmin e ushtrisë siriane nga ana tjetër e kufirit, sipas guvernatorit të provincës Kilis, ku ndodhi ngjarja. Guvernatori Jusuf Odabas tha për agjencinë turke Anatolia, se Plumba rikoshetë nga pala siriane kanë plagosur katër sirianë dhe dy turq, këta të fundit një polic dhe një përkthyes, të cilët ishin në detyrë në këtë kamp. Kjo është hera e parë që sirianët kanë qëlluar përtej kufirit, që kur ka nisur eksodi i popullit sirian në tokën turke, për ti shpëtuar dhunës së konfliktit njëvjeçar ndërmjet forcave të Presidentit Bashar al Asad dhe atyre të opozitës, që kërkojnë largimin e tij. Ministria e Jashtme turke ka kërkuar kontakt urgjent me misionin diplomatik sirian në Ankara për ndalimin e menjëhershëm të të shtënave. Sulmi i ushtrisë siriane ndodhi pasi 21 sirianë të plagosur u dërguan në kufirin turk, ku 17 prej tyre ishin plagosur gjatë natës. Dy nga të plagosurit kishin humbur jetën pak pasi kishin mbërritur në tokën turke, ndërsa pjesa tjetër janë shtruar në spitalin e Kilisit.