Tension në Mitrovicë, serbët kundër Policisë së Kosovës

Shtëpia e familjes Haradinaj ku ndodhi shpërthimi
Shtohen forcat e rendit në Veri një ditë pas vrasjes së shqiptarit.
Një ditë pas vrasjes së një qytetari shqiptar në veri të Mitrovicës, duke vendosur eksploziv në shtëpinë e tij, situata në këtë pjesë të Kosovës mbetet e tensionuar. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, shqetësimet e banorëve, jo vetëm të Veriut, banorëve shqiptarë e serbë, por të gjithë banorëve të tjerë në komunë e më gjerë. Policia e Kosovës me strukturat e tjera të sigurisë dhe të pushtetit lokal ka përgjegjësi për marrjen e masave ose veprimet shtesë për uljen e tensioneve, tha Hoti për REL. Policia ka deklaruar se ende nuk janë të qarta motivet që kanë çuar në organizmin e këtij sulmi dhe as shkaktarët e tij. Sulmi i orëve të para të së dielës ndodhi në familjen Haradinaj në pjesën veriore të Mitrovicës dhe është konsideruar nga kryeprokurori i qarkut në Mitrovicë si akt terrorist. Hetimet për këtë çështje po i kryen njësiti antiterror në Kosovë. Ndaj kësaj ngjarjeje kanë reaguar institucionet e Kosovës, ato ndërkombëtare, si dhe partitë opozitare. Ministri i Brendshëm në Kosovë, Bajram Rexhepi, ka deklaruar një ditë më parë se nuk përjashtohen motivet etnike për këtë ngjarje të rëndë. Ai urdhëroi dje pika policore në të gjithë pjesën e tensionuar të Veriut, por ky urdhër ka përshkallëzuar situatën mes grupeve etnike dhe Policisë së Kosovës, pasi serbët nuk kanë lejuar vendosjen e pikave statike të kujdestarisë dhe të kontrollit. Por një grup prej rreth 200 serbësh në veri të Mitrovicës nuk e ka lejuar Policinë e Kosovës që të vendosë pikat statike në lagjen e Tre Rrokaqiejve ku ndodhi ngjarja e rëndë. Serbët, sipas Policisë në Mitrovicë, nuk e kanë lejuar vendosjen e kontejnerit të rendit, por policia ka vazhduar të qëndrojë në zonë. Përfaqësuesi i strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës, Marko Jakshiç, tha se ata janë kundër pranisë së pjesëtarëve të policisë nga stacioni jugor. Ne kërkojmë që aty të jenë të pranishëm edhe policët e stacionit verior të Policisë, tha Jakshiç, duke iu referuar Policisë së Serbisë. Pse Policia e Kosovës nga Jugu përzihet në përgjegjësitë e pjesës veriore të qytetit? E gjithë pjesa në veri të lumit Ibër është përgjegjësi e policisë së veriut të qytetit dhe duhet tu përmbahemi këtyre parimeve dhe argumenteve, tha ai. Por Policia e Kosovës edhe pse nuk ka vendosur pikat e saj, ka qëndruar në Mitrovicë dhe, bashkë me të, ka pasur forca të shtuara të Policisë së EULEX-it.
Shpërthime të tjera
Dy shpërthime të fuqishme, që kanë ndodhur gjatë orëve të para të së hënës në veri të Mitrovicës. Sipas Kosovapress, bazuar në burimet e saj në polici, nuk ka pasur të lënduar. Të dy shpërthimet kanë ndodhur në afërsi të shkollës së mesme teknike, zonë kjo e banuar me shumicë serbe.
Tirana zyrtare
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar dje për incidentin në Mitrovicë, ku një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën dhe fëmijët e gruaja e tij u plagosën gjatë një shpërthimi. Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër shpërthimin që shkaktoi vdekjen e një qytetari të pafajshëm në veri të Mitrovicës, si dhe çdo akt tjetër dhune që cenon forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëjetesës në veri të Kosovës. MPJ bën thirrje për qetësi e maturi në kapërcimin e kësaj situate, thuhet në njoftim. Duke u dërguar ngushëllime familjarëve, MPJ ka shprehur bindjen se Policia e Kosovës dhe EULEX-i do të sjellin para drejtësisë autorët e krimit.Sulm mediave
Gazetarë të mediave të Kosovës, si Kosovapress, Rtv 21, KTV, RTK, Koha Ditore etj., janë provokuar dhe sulmuar nga një grup serbësh të hënën pasdite në zonën e Tre rrokaqiejve në veri të Mitrovicës. Gazetarët ishin në zonë për të raportuar mbi masat policore dhe situatën në atë pjesë të Kosovës, një ditë pas incidentit që u mori jetën një 38-vjeçari shqiptar nga Mitrovica dhe plagosi anëtarët e tjerë të familjes së tij, mes të cilëve katër fëmijë. Sipas Kosovapress, për fat të mirë, menjëherë kanë ndërhyrë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke parandaluar këtë sulm të grupeve kriminale serbe mbi gazetarët shqiptarë.