E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të sistemohen rrugët dhe të hiqen mbeturinat

24/03/2011  Banorët e lagjeve “Guerile dhe “Skënderbeg” paralajmërojnë të zgjedhurit

SHKODER- Banoret e lagjeve “Guerile dhe “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës kërkojnë nga pushteti vendor që të paktën në fund të këtij mandati të kujtohet dhe për problemet e tyre, pasi gjithë këto vite janë lënë në harresë. Për banorët e lagjes “Guerile” problemi kryesor janë mbetjet e pahequra që me shembjen e ndërtimeve me leje e pa leje me qëllim ndërtimin e rrugës. Banorët shprehen se mirëpritën interesimin e Bashkisë për rikonstruksionin e plotë të rrugës së tyre që ishte dëmtuar thuajse krejtësisht, por që në dhjetorin e vitit 2009 kur u shembën 38 objekte të gjitha mbetjet inerte u lanë pa u hequr. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme se ato po ktheheshin dita ditës në një problem serioz për shkak jo vetëm të bllokimit të rrugës, por edhe të shtimit të ndotjes së ambientit nga mbeturinat që hidhnin natën banorë të lagjeve të tjera askush s’ua vuri veshin. Një problem tjetër i kësaj lagjeje është dhe rruga, e cila përveç se nuk u shtua tashmë është degraduar plotësisht dhe qëndron gjithë vitin e mbuluar me pellgje të mëdha uji. Banorët e lagjes “Guerile” kërkojnë investime të menjëhershme në rrugë dhe heqje të mbeturinave përpara zgjedhjeve për pushtetin vendor, pasi më pas nuk shpresojnë se do kujdeset kush për kërkesat e tyre. Për banorët e lagjes “Skënderbeg” janë bërë tepër shqetësuese rrjetet e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza. Mosinvestimi në këto rrjete ka bërë që prej disa ditësh kanalizimet të bllokohen, ndërkohë që janë bashkuar ujërat e bardha dhe të zeza. Banorët shprehen se dëmtimi ka kohë që ka ndodhur, ndaj për më se 4 herë ujërat e zeza kanë hyrë në banesat e tyre. Dëmtimi i këtyre rrjeteve ka bërë që ujërat e bardha e të zeza të bashkohen dhe me ujin e pijshëm duke rrezikuar epidemi në rreth 30 familje të kësaj lagjeje të qytetit. Banorët shprehin shqetësim pasi deri tani askush nuk ka shkuar për të parë e ndërhyrë në kthimin në normalitet të gjendjes, ndaj edhe ata kërkojnë që përpara zgjedhjeve, më parë se t’i kërkohet vota të zgjidhen problemet e tyre. V. A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›