E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Sdimë sasinë e kokainës,informacion nga të huajt për 200 kg

24/03/2011  Akuza: Nuk kemi bllokuar sasi standarde. Analizë vajit në laborator për kokainën

TIRANE-Tre ditë pas bllokimit të një sasie të konsiderueshme vaji palmash, ku pretendohet se është shkrirë 200 kg kokainë kolumbiane, Prokuroria e policia ende nuk janë në gjendje të përcaktojë plotësisht sasinë e drogës së tretur në fuçitë e vajit. Nën zë hetues të çështjes thonë se aktualisht nuk kanë një shifër standarde të kokainës së bllokuar në Gjirokastër, duke shtuar se shifra prej 200 kg është një sasi e dhënë nga hetuesit spanjollë dhe belgë, të cilët i kanë kërkuar autoriteteve shqiptare që të ndiqnin me shumë vëmendje dërgesën e vajit që do hynte nga kufiri maqedonas. “Tani nuk kemi një sasi standarde, por duhen disa ditë që të nxirret një konkluzion përfundimtar se sa mund të jetë sasia e shkrirë në vaj”,- thonë burimet pranë Krimeve të Rënda. Ndërkohë që ato shtojnë se për të shuar dyshimet nëse në fuçitë e vajit ekziston lënda narkotike apo jo, kanë vendosur që kampione vaji të secilës prej fuçive të bllokuara ti dërgojnë për ekspertim në institutin e policisë shkencore. Mirëpo vështirësi hetimi shfaq edhe në aspektin se si mund të nxirret sasia e kokainës nga vaji i palmës në rast se rezulton që në fuçitë është tretur drogë. Autoritetet e drejtësisë shqiptare mendohet se nuk kanë teknologjinë e duhur për të zhvilluar një proces reaksioni, i cili do sillte nxjerrjen e kokainës nga lënda e vajit të palmës. Ndërkohë që hetues të çështjes shprehen se porositësit e vajit dyshohet se kanë arritur ta kryenin këtë proces reaksioni, pasi në rast të kundërt nuk kishin arsye të tregtonin vajin e palmave nga Kolumbia, në një kohë kur një produkt i tillë importohet dhe nga shteti grek me një vlerë financiare më të ulët. Aktualisht Prokuroria është duke bashkëpunuar ngushtë me prokuroritë e vendeve ku ka kaluar dërgesa, veçanërisht me Prokurorinë e Belgjikës dhe Spanjës, të cilat ngritën dyshimet e para për trafikun e 200 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri. Hetuesit sqarojnë se brenda një periudhe dhjetë ditore do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë lidhur me këtë çështje, pasi kjo dosje ka 5 ditë që është regjistruar. Pritet shkëmbimi i informacionit me prokuroritë e tjera, të cilat kanë kryer më shumë veprime hetimore për këtë çështje. Aktualisht në pranga vazhdon të mbahet biznesmeni nga Gjirokastra Dhimitros Harimas, ndërsa katër të shoqëruarit e tjerë, Kiço Kotro, vëllai i tij dhe çifti nga Maqedonia janë lënë të lirë. Pritet që gjatë ditës së sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda të zhvillohet seanca për vlerësimin e arrestit, ku Dhimitros Harimas do njihet me masën e sigurisë.

Fabrika dje në punë

Kamioni që dyshohet se mban drogë u bllokua pikërisht në fabrikën e prodhimit të kruasantëve, që ndodhet në dalje të Gjirokastrës, 100 metra mbi rrugën nacionale. Lënda narkotike duket se është përzier me vajin e palmave dhe pikërisht në këtë ambient dyshohet së bëhej më pas tharja dhe procesi i ndarjes së drogës nga vaji. Gjatë ditës së djeshme fabrika ka vijuar normalisht punën. Operacioni i akuzës u realizua pas bashkëpunimit të 9 shteteve nga Amerika në Evropë.

Përgjimet në izolim

Nga përgjimet ambientale të kryera në dhomat e izolimit, nuk është interceptuar asnjë bisedë mes të ndaluarve, që kishte lidhje me një trafik të mundshëm të drogës. Gjithashtu dhe nga marrja në pyetje ata kanë pranuar se kishin porositur dërgesën me vaj palmash, por kanë hedhur poshtë implikimin e tyre në një trafik ndërkombëtar të kokainës. Pas dhënies së deklarimeve, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Dhimitros Harimas, pasi ky i fundit ka qenë personi që ka porositur në emër të biznesmenëve të kryesantëve.

Në Shqipëri u prangosën 12 persona

Heroina drejt Gjermanisë

akuza, dërgon letërporosi

TIRANE- Bllokimi i 2.5 kg heroinë në Tiranë në muajin mars të vitit të kaluar ka shtrirë veprimet hetimore në shtetin gjerman, ku mendohet se ishte destinacioni përfundimtar i heroinës. Pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës, ku i ka kërkuar kësaj të fundit dërgimin e një letërporosie në drejtim të Gjermanisë, ku kërkohet informacione lidhur me veprimtarinë e shtetasit Ilia Bregu dhe bashkëpunëtorëve të tij si të implikuar në këtë trafik. Grupi i përbërë nga 12 veta drejtohej nga shtetasit Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi, të cilët dyshohet se kryenin vazhdimisht sasi heroine nga Kosova në drejtim të Gjermanisë. Mes të arrestuarve është dhe një grua Meliha Gjuzi, e cila sipas hetuesve ka qenë pika ndërlidhëse mes personave të grupit që jetonte në Gjermani dhe bashkëpunëtorëve që jetonin në Shqipëri. Ky operacion u krye në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane të zbatimit të ligjit dhe me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, i cili ka synuar në dokumentimin e veprimtarisë kriminale dhe vënien përpara drejtësisë së pjesëtarëve të këtij grupi kriminal. Të parët e arrestuar në Tiranë gjatë këtij operacioni janë Arif Zelo 53 vjeç dhe Ermir Dalipaj 32 vjeç, të dy me banim në Lushnjë. Pas tyre, policia arrestoi tre vëllezërit Qefalia, mes tyre dy binjakë, të cilët u kapën rastësisht pas një sherri banal dhe gjatë kontrollit në banesë u gjetën 2 kg e 815 gramë heroinë. Ata ishin goditur me shkopinj bejsbolli, pas një konflikti të ndodhur në afërsi të kodrave të liqenit, në pjesën e Farkës. Sipas të dhënave policore, nga dëshmitë e dy të plagosurve, Gentian dhe Alehandro Memaçi, përkatësisht 28 dhe 27 vjeç, është mësuar se autorët ishin binjakët, Alfred dhe Artan Qefalia, 26 vjeç, dhe vëllai i tyre më i madh, Kujtim Qefalia, 37 vjeç. Tre vëllezërit ishin të njohur nga policia, ndërkohë që Alfredi nuk kishte shumë që ishte liruar nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për grabitje me armë. Duke kontrolluar banesën, policia gjeti drogën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›