E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja; Prag-divorci, plagos ish-gruan me thikë pas shpine



Një 28-vjeçar ka qëlluar me thikë në shpatull ish-bashkëshorten e tij, pasi kjo kishte vendosur që të ndahej. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në qendër të qytetit të Shkodrës. E reja me inicialet S.L. ishte duke kaluar para postës së qytetit, kur ish-bashkëshorti i saj, i është afruar dhe e ka qëlluar një herë me thikë. Më pas, ai është larguar me shpejtësi, duke mos rënë në prangat e policisë. 24-vjeçarja u transportua menjëherë në spitalin e qytetit, ku pas ndihmës së parë të marrë, është jashtë rrezikut për jetën. Rreth paradites së ditës së djeshme, vajza me inicialet S.L. ishte duke ecur në qendër të qytetit verior, në sheshin “Isa Boletini”. Ndërsa ajo ishte duke kaluar përpara postës së qytetit, i është afruar nga pas një person, i cili e ka qëlluar nga pas me një thikë. Ai ishte duke lëvizur me një motor. Vajza ka marrë një goditje në shpatull dhe është rrëzuar në tokë, ndërkohë që agresori ka lënë motorin aty dhe është larguar me shpejtësi në këmbë. Në vendngjarje shkoi menjëherë edhe policia, e cila ngriti një grup pune për hetimin e ngjarjes. U morën në pyetje dëshmitarët si edhe e plagosura. Sipas burimeve nga policia në qytetin e Shkodrës, autori i plagosjes është ish-bashkëshorti i vajzës, shtetasi Mehja. Të dy ishin banorë të fshatit Bërdicë të qytetit të Shkodrës. Ata kishin disa kohë që ishin martuar, por duket se gjërat nuk kishin ecur mirë dhe pas konflikteve të vazhdueshme, e reja kishte kërkuar që të ndaheshin. 24-vjeçarja kishte rreth pesë muaj që ishte larguar nga shtëpia e ish-burrit të saj dhe kishte nisur procedurat e divorcit. Me gjithë kërkesat e ish-bashkëshortit të saj për t’u rikthyer në shtëpi, vajza me inicialet S.L. nuk ka ndryshuar vendim. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka qenë pikërisht kjo arsyeja që ka detyruar 28-vjeçarin të godasë me thikë ish-bashkëshorten e tij. Pas ndërhyrjes së mjekëve, vajza është jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për arrestimin e 28-vjeçarit, autor i plagosjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›