E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjël, por krenarë

Hondurasi do të marrë pjesë për herë të dytë në Kampionat botëror. E para ishte në edicionin 1982 në Spanjë. Por, viti 2010 ka qenë njëri prej më të mirëve në historinë e futbollit të Hondurasit. Përveç kualifikimit në Kampionatin botëror, ekipet U-17 dhe U-20 po ashtu kanë siguruar pjesëmarrjen në garat e të rinjve. Ekipi U-23 vitin e kaluar mori pjesë në Olimpiadën e Pekinit.

Kualifikimi
Hondurasi përfundoi i treti në zonën CONCACAF, me 16 pikë, prapa SHBA-së dhe Meksikës. Ata siguruan kualifikimin për në Botërorin e Afrikës së Jugut më 14 tetor 2009 pas fitores 1-0 ndaj El Salvadorit me golin nga Carlos Pavon. Mirëpo, Hondurasit iu desh që Kosta Rika të mposhtet nga SHBA dhe ndodhi pikërisht kjo me golin e fitores nga amerikanët në minutën e 94-të.

Pikët e forta
Hondurasi ka mbrojtje të fortë dhe mesfushë solide. Reparti defansiv i tyre pranoi më së paku gola në fazën kualifikuese. Kundërsulmi është arma kryesore e tyre, falë futbollistëve të shpejtë në sulm.

Pikët e dobëta
Gjatë fazës kualifikuese, portieri Noel Valladares ishte kritikuar për gabime të vazhdueshme. Hondurasi është ekip i mirë kur luan në shtëpi, mirëpo i pasigurt në udhëtim.

Trajneri
Kolumbiani Reinaldo Rueda tregoi aftësinë e tij prej trajneri gjatë kualifikimeve. Në shtëpi luajti në formacionin 4-4-2, ndërsa si mysafir 4-5-1. Kjo taktikë ishte kritikuar në media, por në fund doli e suksesshme.

Yjet e ekipit
Sulmuesi Carlos Pavon konsiderohet si simbol i futbollit të Hondurasit. Ai është golashënuesi më i mirë i Kombëtares me 55 gola. Është 37 vjeç, por ky do të jetë Botërori i parë i tij. Sulmuesi tjetër, David Suazo është shumë i shpejtë dhe nuk i nevojitet teknika për të kaluar mbrojtësit kundërshtarë. Ai është shpresa e çdo tifozi të Hondurasit. Edhe mesfushori Amado Guevara është anëtar i rëndësishëm i ekipit.

Momenti më i mirë në histori
Ishte në Copa America 2001 në Kolumbi. Hondurasi ishte ftuar pas refuzimit të SHBA-së dhe ekipi përfundoi në pozitën e tretë. Por, rezultati që u veçua ishte fitorja ndaj Brazilit në çerekfinale me rezultat 2-0.

Objektivi në Botërorin 2010
Edhe pse paraqitet në Botërorin e dytë, Hondurasi nuk do të kënaqet vetëm me pjesëmarrje. Ekipi do të synojë kalimin në rrethin e dytë.

Gjasat për të kaluar në rrethin e dytë: 34.7 %
Gjasat për të kaluar në çerekfinale: 9.1 %
Gjasat për të kaluar në gjysmëfinale: 3.3 %
Gjasat për të kaluar në finale: 1.1 %
Gjasat për ta fituar titullin: 0.3 %

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›