E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Berisha s’do të ketë shansin t’i vonojë reformat

30/04/2009  Qëndrimi i PS-së për aplikimin në BE

“Sali Berisha dorëzoi në Pragë kontributin dhe angazhimin afatgjatë të Partisë Socialiste, duke bërë shoun e radhës me kërkesën që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, një akt që nuk ka sesi të lërë vend për spekulime elektorale dhe aq më pak të interpretohet se i shton kreditet qeverisë së dështuar të Sali Berishës”, - ky ishte konstatimi i ardhur dje nga PS-ja përmes deputetes Arta dade. Duke sqaruar një qëndrim të tillë, Dade shtoi se “është e qartë për opinionin vendas dhe të huaj se personalisht Sali Berisha ka qenë dhe mbetet shkaktari kryesor i vonesave në rrugën e integrimit europian që prej zgjedhjeve të ’96-s”. Sipas saj, përfaqësuesit e BE-së edhe një herë ripërsëritën kushtet që Shqipëria të avancojë në axhendën e saj europiane: zgjedhjet të lira, të ndershme dhe demokratike, thellimin e reformave politike dhe ekonomike, mjedis të favorshëm për biznesin. Por në këtë pikë socialistët shfaqen skeptikë. “Sali Berisha as nuk i ka përmbushur dhe as nuk do të ketë shansin t’i vonojë reformat e tjera. I ka mbetur vetëm mundësia e organizimit të zgjedhjeve konform standardeve që të largohet nga pushteti pa dëmtuar më tej imazhin e vendit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Kërkesa do të nisë të shqyrtohet vetëm nëse Shqipëria plotëson kushtin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ky shqyrtim bëhet sipas standardeve të KE-së dhe jo sipas standardeve të Berishës”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›