E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diversifikimi i burimeve të energjisë ka rëndësi për qeverinë

30/04/2009  Berisha për energjinë

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në takimin e zhvilluar nga Qendra për Studime Europiane mbi potencialet dhe perspektivat ekonomike në sektorin e energjisë se një ndër qëllimet kryesore të qeverisë shqiptare është diversifikimi i burimeve të energjisë, i cili është një potencial shumë i madh. Ai ka nënvizuar se një tjetër qëllim gjithashtu është efiçenca e energjisë, që është shumë e domosdoshme për suksesin në projektet në këtë fushë. Berisha tha se çështja e energjisë ka qenë një nga prioritetet e qeverisë që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005 dhe vazhdon të mbetet i tillë. Ai vuri në dukje rëndësinë që do të ketë Shqipëria në tregun energjetik, sepse ajo ka potenciale të mëdha hidrike, një pozitë gjeografike kyç dhe shumë faktorë të tjerë ndihmues, që bëjnë që ajo të kthehet në një superfuqi të vogël energjetike në mbarë rajonin. Kryeministri shqiptar deklaroi se Shqipëria është duke avancuar për sa u përket burimeve energjetike, ndërkohë që ka ende shumë për të bërë në efiçencën energjetike. Berisha shprehu besimin se në 3-4 vjet Shqipëria do të jetë një eksportuese serioze e energjisë. Ai foli edhe për rigazifikatorin e Semanit, një ndër më të mëdhenjtë në Europë, duke theksuar se ai ka ngjallur një interes shumë të madh. Nga ana e tij drejtori i Qendrës për Studime Europiane, Tom Hahnen, vlerësoi se në Shqipëri ka një situatë impresionuese zhvillimi vitet e fundit dhe për këtë ai përgëzoi Kryeministrin Berisha për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare nën drejtimin e tij. Ai shprehu bindjen se shumë shpejt Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues për energjinë dhe theksoi se arritjet e suksesshme të reformave të qeverisë janë inkurajuese për të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›