E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të zbatohen rekomandimet e OSBE-së”

Autori i Lajmit: red.
Deputetët grevistë kanë kritikuar përsëri dy partitë e mëdha. “Këto 2 parti vazhdojnë në mënyrë të njëanshme dhe së bashku të imponojnë zgjidhjen që u intereson atyre, pa marrë parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR të dhëna pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, dhe as propozimet tona për të mos diskriminuar me ligj asnjë konkurrent politik në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Rekomandimi i OSBE-së pas zgjedhjeve të 2005-ës thotë shprehimisht: “Kodi i ri Zgjedhor duhet të sigurojë një administrim më pluralist dhe gjithëpërfshirës në administrimin e zgjedhjeve, një administrim që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë kryesore politike”, - pohuan ata nëpërmjet zëdhënësit të tyre, Dritan Prifti. Grevistët thonë se parimet e shenjta të Dokumentit të Kopenhagenit dhe rekomandimet e vazhdueshme të OSBE janë busulla që na tregojnë rrugën ku duhet të ecim në Reformën Zgjedhore. “Në kushtet e mungesës së vullnetit të PS-PD për të përfshirë më shumë parti politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve, në kushtet e injorimit flagrant të rekomandimeve të OSBE, ne mendojmë se faktori ndërkombëtar, përfaqësues të shteteve të veçanta perëndimore duhet të flasin hapur në mbrojtje të rekomandimeve të veta, dhe parimeve të shenjta të barazisë pëpara ligjit, mosdiskriminimit me ligj të konkurrenteve politikë në një proces zgjedhor”, - shprehen më tej grevistët nëpërmjet Priftit. Pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve ata kanë kërkuar gjithashtu më shumë kohë për t u njohur me draftin përfundimtar të Kodit Zgjedhor. Përfaqësues të LSI dhe PDK në Konferencën e Kryetarëve kanë kërkuar të zbatohet rregullorja e Kuvendit, përkatësisht neni 69 i saj kur shprehet qartë procedura që duhet të kalojë çdo projektligj përpara se të kalojë në seance plenare. “Ne kërkuam kohë për të njohur dhe për të studjuar projektligjin dhe për të bërë propozime për amendamente sipas gjykimit tonë. Nuk e kuptojmë nxitimin e PS-PD për të mos u lënë kohë deputetëve të njohin dhe përgatiten për debat për ligjin më të rëndësishëm të Shqipërisë, për ligjin i cili na ka detyruar të mbyllemi në një grevë urie me sakrifica të mëdha personale, për ligjin i cili duhet të garantojë një bazë ligjore të pakontestueshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kërkojmë minimumin e kohës që lejon rregullorja e Kuvendit prej 2 javësh dhe besoj që të gjithë deputetët e meritojnë këtë kohe”, - shprehen grevistët.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›