E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, testohen kamerat e monitorimit

Ka nisur procesi i instalimit të kamerave në 66 VNV. Në prani të Ristanit janë testuar kamerat në Tiranë


"Si kjo palestër, që do të shërbejë për vendnumërimin e votave, do të shërbejnë dhe 66 vende të tjera"


Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë risi jo vetëm sepse do të organizohen sipas një sistemi të ri zgjedhor, por edhe për shkak të teknologjisë që do të përdoret për herë të parë në vendin tonë, për të monitoruar një nga proceset më problematikë dhe më të kontestueshëm të zgjedhjeve shqiptare, që është ai i numërimit të votave.


Pavarësisht se me vonesë, kompania "R&T" ka nisur së fundmi instalimin e rrjetit të kamerave dhe monitorëve në të 66 ambientet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar si vendnumërimi të votave nga GNV-të.


Puna ka nisur fillimisht në dy qarqe, Tiranë dhe Elbasan, ku vendet e numërimit të votave janë marrë më parë në dorëzim nga kompania, e cila përveç instalimit të kamerave, do të duhet që edhe të kujdeset për to nga dëmtimi apo vjedhjet e ndryshme.


Vizita


Për të kontrolluar procesin e instalimit të rrjetit të monitorimit me kamera, dje kanë zbritur në terren dhe vetë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët kanë zhvilluar një vizitë në palestrën e shkollës "Hasan Prishtina", ku po instalohet teknologjia mbështetëse për VNV-në e ZAZ-së numër 46 në kryeqytet.


Në një prononcim për median, Ristani informoi se i njëjti proces instalimi po zhvillohet në të gjitha qendrat e numërimit që do të ngrihen në mbarë vendin. "Ka filluar montimi i teknologjisë për numërimin e votave.


Si kjo palestër, që do të shërbejë për vendnumërimin e votave, do të shërbejnë dhe 66 vende të tjerë, ku do numërohen vota në të gjithë Shqipërinë", - tha Ristani.


Duke ndjekur nga afër testimin që inxhinierët e kompanisë private kanë bërë në këtë qendër, Ristani është shprehur i kënaqur për ecurinë e procesit, duke garantuar se një provë e tillë jep garanci se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të mirëmonitoruara, çka do të ulë ndjeshëm mundësinë e kontestimeve nga forcat politike.


Sipas tij, nëpërmjet kësaj teknologjie vëzhguesit do të kenë mundësi të shikojnë nga afër si është votuar në fletën e votimit, si dhe do të jenë shumë afër me grupin e numërimit, për të ndjekur çdo veprim të tyre.


Ristani informoi se aktualisht janë montuar disa qendra numërimi në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe shpreson që një javë para ditës së zgjedhjeve të jetë e montuar teknologjia në të gjithë Shqipërinë dhe javën e fundit të mund të bëhet testimi për të qenë gjithçka gati në ditën e zgjedhjeve.


Ndërkohë që edhe ambientet e KQZ-së në Tiranë janë përfshirë dje nga punimet, ku kompania që fitoi të drejtën e vendosjes së këtij sistemi monitorimi ka nisur vendosjen e 12 monitorëve të mëdhenj, ku dhe do të transmetohen në kohë reale pamje nga VNV-të.


Sistemi


Në bazë edhe të vendimeve që ka marrë më parë KQZ-ja, parashikohet që në të 66 VNV-të në të gjithë vendin, në varësi të numrit të zgjedhësve, do të ketë nga 5 deri në 10 tavolina për numërimin e votave dhe mbi secilën tavolinë do të instalohen kamerat që do të bëjnë monitorimin e procesit të numërimit të votave.


Të gjitha kamerat do të marrin imazhet nga çdo tavolinë ku anëtarët e grupeve të numërimit janë të detyruar të ekspozojnë në objektivin e tyre, të paktën për 3 sekonda, çdo fletë votimi dhe do t'i transmetojnë në kohë reale në monitorët 32-polësh që do të vendosen përpara grupit të vëzhguesve.


Në total Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar që të vendosë plot 385 kamera dhe monitorë në të gjitha VNV-të dhe informacioni viziv që ato do të regjistrojnë, përveç se do të shërbejë për monitorimin real të procesit të numërimit të votave, do të shërbejë edhe si fakt para Kolegjit Zgjedhor, në rast se palët do të kenë pretendime.


Një praktikë e tillë do t'u japë mundësi jo vetëm anëtarëve të KQZ-së, por edhe vetë vëzhguesve dhe përfaqësuesve të medias që të ndjekin votë pas vote numërimin.


Në ambientet që do të shërbejnë si vendpune për GNV-të, do të vendoset dhe një kamerë qendrore me këndvështrimi 360 gradë, e cila do të transmetojë drejtpërdrejt në KQZ pamjen dhe zërin nga ecuria e procesit në qendrën e numërimit të votave të secilës prej 66 zonave të administrimit të zgjedhjeve.


Në çdo VNV do të instalohet edhe një kompjuter, me anë të të cilit do të bëhet i mundur grumbullimi i informacionit gjatë procesit të numërimit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›