Teatri Kombëtar Filumena Marturano, një dramë për realitetin shqiptar

Filumena Marturano, kryevepra e dramaturgut Eduardo de Filipo do të ngjitet premierë në datën 20 shkurt në skenën teatrore. Ngjarja në dramë vendoset rreth një gruaje ish-prostitutë, e cila prej njëzet e pesë vjetësh jeton në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez. Ajo ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e detyron atë të martohet me të zyrtarisht, duke e gënjyer sikur ishte në prag të vdekjes! Vepra vjen në skenën teatrore nën regjinë e Albert Mingës, dhe me interpretimin e emrave më në zë të teatrit. Filumena, e detyruar të vuajë shumë në jetë, do të vijë e interpretuar nga aktorja e mirënjohur Yllka Mujo.
Ndërsa në këtë dramë interpretojnë edhe aktorë të njohur të skenës shqiptare si Artistja e Popullit Tinka Kurti, Bujar Asqeriu, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi etj. Drama e shkruar në vitin 1944, do të realizohet me skenografi të mjeshtrit të skenës, Agim Zajmi. Përvoja me shfaqjen Pamje nga ura thelloi më shumë konceptin me zgjedhjen repertorit në dramaturgjinë e huaj. Vepra që unë do të vë në skenë nuk do të jetë vetëm për të kënaqur shijet e regjisorit, por gjithçka duhet parë në funksion të spektatorit. Nëse nuk ekziston ky përjetim emocional midis sallës dhe spektatorit atëherë ai do të jetë i ftohtë dhe do ta shohë shfaqjen vetëm për respekt, por nëse drama dhe hallet që kanë personazhet janë dhe probleme të spektatorit atëherë ndodh shkrirja e natyrshme midis skenës dhe teatrit. Kjo më udhëheq mua si regjisor mbi përzgjedhjen e një vepre, që vë në skenë, u shpreh regjisori Minga. Regjisori Albert Minga edhe këtë herë në stafin e atij me aktorët ka sërish emra të rinj. Dëshira e regjisorit Minga për të zbuluar talentet të rinj, vijon kësaj here me emra të tjerë si Gjergji Mena, Nigela Ruka etj, janë vënë në qendër të tij. Në një vëzhgim regjisorial për Filumena Marturano regjisori tregon se autori i veprës është një prej emrave më të njohur në dramaturgji. Për të shpjeguar atë që e bën të veçantë krijimtarinë universale të këtij artisti të madh, të quajtur nga kritika si Pirandelo napolitan, mjafton të themi që gazetari i famshëm, Arrigo Levi, e vendos emrin e tij në listën e fuqive të mëdha, të teatrit botëror. Shumë vepra të tij janë punuar nga regjisorë të mëdhenj të teatrit e të kinemasë, gjë që dëshmon për forcën e tij krijuese, thellësinë e karaktereve që këta artistë gjejnë në këto vepra, por edhe për universalitetin e mesazheve që ato transmetojnë. Nuk ka se si të mos sugjestionojnë emra të tillë regjisorësh si: Franko Xefireli, Laurence Olivier, Vitorio de Sika, Piter Hall, R.Simonov, Katerin Kushard, Gloria Paris, Francesko Rozi etj, apo aktorë të tillë si, motra e tij, Titina de Filipo, Ana Manjani, Rexhina Bianki, Sofia Loren, Marcelo Mastroiani, Joan Ploëright, Judi Dench, Michael Pennington, Lina Sastri etj, tregon ai. Sipas tij sot në realitetin shqiptar gjemë shumë histori, të tilla, të cilat duhet të denoncohen nga shoqëria. Sa histori të tilla drithëruese takon sot në realitetin e ashpër shqiptar! Sa gra të dhunuara për vite e vite të tëra, e pranojnë si një sakrificë të tyre këtë mënyrë të jetuari për të ruajtur nderine familjes! Realiteti i sotëm shqiptar, fatkeqësisht, është i mbushur me histori Filumenash, të cilat mbajnë të ndrydhura thellë në shpirtin e tyre drama edhe më të fuqishme se Filumena jonë. Pikërisht këtu do të insistojë edhe superdetyra e spektaklit tonë: të demaskojë këtë realitet poshtërues ndaj femrës dhe të sensibilizojë shoqërinë tonë, për t'u dalë në mbrojtje dhe denoncuar rastet e ngjashme. Filumena përfaqëson femrën e guximshme e plotë dashuri njerëzore, që ka vuajtur shumë në jetë, ndonëse më shumë ka falur dashuri se sa ka marrë prej saj, shprehet regjisori. Ndërkohë që në skenë e Teatrit Kombëtar po shfaqen aktualisht vepra të repertorit. Këto ditë publiku po ndjek premierën Fishkëllimë në errësirë, me regji të Spiro Dunit, si dhe me interpretimin e një kaste të njohur aktorësh. Pas shumë vitesh me këtë vepër rikthehet dhe aktori i njohur Reshat Arbana.
***********************************
Një hyrje në dramën e Filumenas
Një grua e popullit, ish-prostitutë, Filumena Marturano jeton prej njëzet e pesë vjetësh si një grua, por pa qenë e tillë, në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napoletan borgjez dhe i kamur. Ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh , ajo e detyron atë të martohet me të zyrtarisht duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes ! Domeniko Soriano pranon të martohet. Por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje: ajo dëshiron tu japë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të D. Sorianos. Për një kohë të gjatë, kishte qenë e detyruar të heshte për ekzistencën e tyre. Por Filumena i jep dhe një goditje tjetër Domenikos: njëri prej tre djemve të saj është biri i tij! Por nuk ka ndërmend ti tregoj konkretisht se cili është, sepse fëmijët janë fëmijë dhe ata duhet të ndihen të tre të barabartë! Në finale të dramës, Domeniko i jep të drejtë Filumenas dhe vendos të martohet përsëri, por kësaj here edhe me prezencën e familjes së tij të re!