E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekste shkollore falas për fëmijët e varfër

Subvencionimi

Fëmijët nga familje që jetojnë me ndihmë ekonomike si dhe ata me aftësi të kufizuara do të kenë mundësi që t’i marrin tekstet shkollore pa pagesë. Buxheti i shtetit do të kompensojë në masën një qind për qind këto tekste shkollore.
Ky vendim është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Pas miratimit të vendimit, Kryeministri Sali Berisha e ka komentuar atë si një premtim elektoral si të pozitës ashtu edhe të opozitës.
“Këtë shqiptarëve ua premtoi si pozita ashtu edhe opozita dhe unë kam shumë kënaqësi ta shndërroj në realitet, sepse të mirat ndahen dhe ne, një vendim të mirë, po e ndajmë së bashku me opozitën, ndaj dhe përgëzoj Ministrinë e Arsimit që ka sjellë këtë vendim shumë të rëndësishëm”.Vendimi që i garanton libra falas fëmijëve të varfër dhe atyre me probleme duket se nuk ka mundur që t’i shpëtojë politizimit ashtu si thuajse çdo gjë tjetër në Shqipëri. Fjala konsensus nga kreu i ekzekutivit përdoret vetëm pak ditë nga tryeza e shumëpritur e vendosjes së dialogut pozitë-opozitë që do të mbahet nën ndërmjetësinë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Librat shkollorë falas për të gjithë nxënësit u shndërruan në një debat jo të vogël përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009.
Subvencionimi i teksteve shkollore nga ana e Ministrisë së Arsimit për këtë vit arsimor u shtri vetëm në shkollat 9-vjeçare. Ndërkohë që nxënësit e gjimnazeve nuk mundën të përfitonin, sikundër ndodhi në vitin shkollor 2008-2009.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›