LSI kundër PD për datën e viktimave të diktaturës
Kujtesa
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet kundër caktimit të datës 29 Nëntor si ditë përkujtimi për viktimat e diktaturës komuniste. Sekretari për marrëdhëniet me median, Luan Rama, e kundërshtoi ashpër dje nismën e deputetëve demokratë, për të caktuar këtë ditë, e cila njihet si dita e çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman, duke konsideruar se vetë e djathta ka bërë një propozim më parë për të caktuar një ditë, por jo domosdoshmërisht në këtë datë. “Dëshiroj të nënvizoj se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 Nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 Nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist”, tha Rama. Duke mos e konsideruar atë propozim si qëndrim zyrtar të Partisë Demokratike, Rama u kujtoi deputetëve të rinj të PD-së se me propozimin dhe insistimin e deputetëve të PD-së kur ajo ishte në opozitë, u miratua ligji “Për shpalljen e ditës së kujtesës” Nr. 9280, datë 23.09.2004, ku u shtuan konkretisht edhe dy pika, të cilat po i citoj: pika 3 “Dita e kujtesës” është ditë e përkujtimit të përndjekjes së shqiptarëve në formën e zhdukjes fizike, burgosjes, internimit, dëbimit dhe spastrimit etnik dhe pika 4 “Dita e kujtesës” është ditë homazhi dhe reflektimi për cilindo që ka qenë objekt i dhunës kolektive, në formën e etnocidit, gjenocidit dhe aparteidit. “Pra ka një ligj që nderon të gjitha viktimat në formën dhe në cilësinë e përndjekjes, siç e parashikon ligji nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, do të duhet që për arsye më specifike për të nderuar këta viktima të përcaktohet një datë homazhi apo një datë tjetër nderimi dhe memorie”, deklaroi Luan Rama.
#