E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, mosshlyerjet rrezikojnë shembjen

26/03/2010 ALUIZNI, apel banorëve të Malësisë së Madhe

SHKODER- Drejtuesit e zyrës së legalizimeve të Malësisë së Madhe u kanë bërë thirrje banorëve të këtij rrethi që kanë aplikuar pranë kësaj zyre, që të kryejnë sa më parë pagesat e parashikuara në ligj, pasi përndryshe procesi do të dështojë. Drejtuesit e kësaj zyre i bëjnë të ditur aplikantëve për legalizim të ndërtimeve të tyre pa leje se procesi ka ecur shumë ngadalë për shkak të mospagesave të duhura. Kjo situatë do të sjellë dhe penalizimin e vetë banorëve kërkues të legalizimit të banesave të tyre, jo thjesht me mosregjistrim, por dhe me fillim procedurash për shembjen e banesave dhe ndërtimeve të tjera. Të gjithë objektet e pronarëve që nuk kanë kryer pagesat për t’i dhënë fund procesit të legalizimeve në Malësi të Madhe, do të konsiderohen përfundimisht të paligjshme e për rrjedhojë do të fillojë të zbatohet ligji për shembjen e tyre.

Sipas të dhënave të zyrës së ALUIZNI-t në Koplik, në procesin e legalizimit janë të hapura 592 dosje, prej të cilave janë përpunuar 327 prej tyre. Prej disa muajsh zyra e Koplikut u ka bërë thirrje aplikuesve për aplikim për të kryer në banka pagesat dhe të plotësojnë formularët përfundimtarë, por vetëm 70 aplikantë e kanë kryer këtë detyrim. Drejtuesit e ALUIZNI-t në Koplik kanë theksuar se nëse edhe pas kësaj thirrje nuk do të kryhen pagesat, atëherë do të mbyllet dhe procesi për aplikuesit e parregullt. Nga ana tjetër banorët aplikues për legalizim ndërtimesh pa leje janë mbrojtur duke u shprehur se askush nuk i ka lajmëruar se e kanë emrin në listën finale për legalizim, në mënyrë që të paraqiteshin për kryerjen e pagesave. Sipas tyre u takon punonjësve të ALUIZNI-t dhe të pushtetit vendor të bëjnë lajmërimet sipas renditjes së aplikuesve, por nuk e kanë bërë. Nga ana e tyre zyra e ALUIZNI-t Koplik bën të ditur se lajmërimet janë bërë shtëpi më shtëpi, por ka pasur raste edhe kur në banesa nuk ka pasur asnjë person, pavarësisht se është shkuar disa herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›