E Diel, 1 Nëntor 2026

Telekomunikacioni-energjia, Tahiri: Serbia sovranitet mbi Kosovën

PRISHTINË- Shefja e ekipit negociator të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, thekson se pavarësisht se Prishtina dhe Beogradi kanë rënë dakort për aspekte të kufirit, por energjia dhe telekomunikacioni mbeten ende pezull, raporton Koha Ditore.

Tahiri, ka pohuar se energjetika dhe telekomunikacioni kanë qenë objekt diskutimi gati prej fillimit të dialogut, dy fusha ku Serbia ushtron një lloj të sovranitetit mbi Kosovën dhe që asaj i sjell përfitime në afro 100 milionë euro në vit, por ka qenë e pamundur të arrihet një zgjidhje.

Numri dy i Qeverisë  thekson se energjia është një çështje e cila tashmë ka marrë rrugën e zgjidhjes nga ana e Komunitetit të Athinës.

“Kosova kishte bërë ankesë te Sekretariati i Komunitetit të Athinës për shkeljet që i bën Serbia ndaj Traktatit të Athinës dhe Sekretariati ka marrë vendim në favor të Kosovës, ku ka konstatuar se Serbia shkel Traktatin e Athinës në raport me Kosovën”,- ka sqaruar Tahiri.

Zëvendëskryeministrja kosovare ka bërë të ditur se Kosova ka kërkuar nga BE-ja që sa më shpejt Këshilli i Ministrave të Energjisë të marrë vendimin përfundimtar për ndëshkimin e Serbisë.

Për telekomunikacionin Tahiri ka theksuar se “një prej elementeve themelore të një marrëveshjeje të mundshme është çështja e një bashkëpunimi përmes roamingut”, “Pastaj janë vendosja e bashkëpunimit në fusha të tjera të telekomit midis dy shteteve, është çështja e kodit shtetëror të Kosovës, të cilin Serbia vazhdimisht e pengon Kosovën në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare për Telekomunikacion”,- sqaron Tahiri.

Në mungesë të kodit shtetëror të telefonisë, Kosova shfrytëzon kodin e Serbisë. Ekspertët e telekomunikacioniet jo një herë kanë thënë se Serbia për një vit fiton nga “operimi” në Kosovë ndërmjet 50 e 60 milionë eurove
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›