E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e larta, mjekët: Si duhet të mbroheni

Temperaturat e larta shkaktojnë jo pak probleme tek të moshuarit dhe fëmijët, ndaj dhe mjekët këshillojnë të shmangen qëndrimet në diell në orët e mesditës si dhe të konsumohet sa më shumë lëngje. 

TIRANE- Rritja e temperaturave në këtë sezon, duke shënuar 38 deri në 39 gradë celcius, shkakton jo pak probleme tek të moshuarit dhe fëmijët. Ndaj dhe mjekët këshillojnë të shmangen qëndrimet në diell gjatë orareve të mesditës.

Sipas mjekëve në të tilla temperatura krijohen komplikacione të ndryshme në organizëm si gjendje të fikti, rritje të rrahjes së zemrës, djersitje dhe humbje të kriprave minerale, si dhe luhatje tensioni. "Gjatë kohës që lëvizni mbani ujë me vete dhe konsumoni sa më shumë ujë gjatë ditës, rreth 2-3 litra. Mbani rroba të çelta, të lehta, kapele për mbrojtje nga dielli. Ata që konsumojnë alkool të shmangin pijet alkoolike", këshillojnë mjekët.

Ndërsa, përsa i përket personave qe vuajnë nga zemra, mjekët këshillojnë që ata të bëjnë konsulta te herëpashershme, pasi mund të kenë nevojë për rregullim të mjekimit në kushtet e motit të nxehtë.

Mjekët këshillojnë evitimin e daljeve nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11:00- 17:00-18.00. Ata japin këshilla dhe për mbajtjen e ambjentit në shtëpi sa më të freskët, por kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e kondicionerëve.

Për ata njerëz që janë të detyruar të dalin në orët e pikut dhe udhëtojnë me makinë, specialistët shprehen se është e nevojshme që të mbajnë gjithmonë me vete ujë, ndërsa gjatë ndalesave të evitohet ngrënia e shpejtë apo pijet alkoolike, ato me shumë sheqer apo kafeinë. “Mbi të gjitha mos parkoni në diell, e nëse do ta bëni një gjë të tillë, para se të niseni hapini dritaret për të ulur temperaturën e brendëshme”, ndërsa për ata që kanë kondicioner, temperatura në makinë nuk duhet mbajtur më pak se 25-27°.
Ndërkohë sipas parashikimit metereologjik dita e sotme do të jetë një ditë me temperatura të larta dhe do të karakterizohet nga një mot i kthjellët në të gjithë vendin.
Temperaturat pritet të arrijnë 39 gradë celcius dhe në disa zona dhe 40 gradë celcius, ndërsa në diell këto vlera do të jenë më të larta.
Qytet më të nxehta do të jenë Elbasani, Cërriku, Berati, Kuçova, Gjirokastrës. (a.r/ata/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›