E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi i “Rrugës së farkëtarëve” e fut në qorrsokak komunën e Prizrenit

Prizren, 30 gusht – Përplasjet mes Komunës së Prizrenit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me fituesin e tenderit, e në anën tjetër dyshimet për korrupsion, kanë lënë peng zbatimin e projektit për “Rivitalizimin e ‘Rrugës së farkëtarëve’”, tre muaj pas fillimit të procedurës së prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i kryente punimet, shkruan sot gazeta Koha Ditore. 
Një muaj pasi që kishte shpallur kompaninë “Themeli” si fituese të këtij tenderi, Komuna e Prizrenit kishte anuluar procedurën e prokurimit, duke e ritenderuar këtë projekt, në emër të mungesës së mjeteve buxhetore. Tani edhe pse ka kaluar një muaj tjetër qëkur janë hapur ofertat e kompanive tenderuese, komuna ende nuk ka njoftuar se kush është fituesi i këtij tenderi të rishpallur.
OSHP-ja ka urdhëruar Komunën e Prizrenit që të vazhdojë procedurën e prokurimit (nënshkrimin e kontratës v.j.) me kompaninë “Themeli”, që në tenderin e parë ishte shpallur fituese edhe pse për rreth 66 mijë euro kishte ofertuar me çmim më të shtrenjtë se kompania më e lirë e diskualifikuar, duke i cilësuar të pabazë arsyetimet për anulimin e tij nga Komuna e Prizrenit, për mungesë të mjeteve financiare. Për OSHP-në mënyra e anulimit të këtij tenderi pasi që ishte njoftuar për dhënien e kontratës, lë shumë për të dyshuar. Ndërsa zyrtarët e Komunës së Prizrenit thonë se OSHP-ja nuk ka pasur të drejtë në këtë urdhërim, duke thënë se ata do të ankohen konform ligjit.
Burime zyrtare brenda Policisë së Kosovës, gjegjësisht në Drejtorinë për Krime Ekonomike e Korrupsion në Prizren, patën bërë të ditur për “Kohën Ditore” se tre zyrtarë komunalë janë duke u hetuar për korrupsion e shpërdorim të detyrës zyrtare rreth këtij rasti, pasi që kishin diskualifikuar tenderuesin tjetër, kompaninë “Viacom” sh.p.k., megjithëse kishte ofertuar me çmimin më të lirë.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, në një prononcim për gazetën, nëpërmjet telefonit, të shtunën, ka thënë se ai personalisht ka kërkuar të anulohet ky tender dhe të shkohet në ritenderim.
“Unë kam kërkuar anulimin e atij tenderi, për arsye të mungesës së pagesës së firmës që ka konkurruar me çmim më të lirë se herën e parë. Pas 2-3 dite ai (“Viacom” sh.p.k. v.j.) e ka plotësuar atë formalitet. Mungesa e një dokumenti ka qenë në pyetje. Ndërsa ka ardhur në rend firma tjetër (“Themeli” v.j.) e cila ka ofertuar rreth 60 mijë euro e ca  më shumë. Unë kam urdhëruar ngase nuk kam ku t’i marr ato 70 mijë euro si komunë. Kam urdhëruar të anulohet ky tender. Dhe më tutje nuk e di se çka është bërë”, ka deklaruar Muja, duke kërkuar që të merren më shumë informata në Zyrën e Prokurimit.
Por zyrtarët e prokurimit kanë qenë të pakapshëm për gazetën për të dhënë sqarime rreth kësaj çështjeje.
Ndërsa lidhur me vendimin e OSHP-së që të shpërblehet me kontratë firma e shpallur si fituese në tenderin e parë, kryetari Muja nuk ka dashur të komentonte shumë.
“OSHP-ja po merr vendime edhe për firma që janë nën hetime...”, ka thënë shkurt ai, duke aluduar rreth vendimit të OSHP-së për shpallje fitues të një tenderi në Doganat e Kosovës  nga kompania “Z-Mobile” që është duke u hetuar nga EULEX-i.
Sadik Paçarizi, drejtor i Urbanizmit, që në kohën sa ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike, kur ka nisur ky projekt, ka thënë se OSHP-ja nuk ka pasur të drejtë në këtë vendim, pasi që kjo komunë nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ta shpërblyer me kontratë kompaninë “Themeli”.
“Nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’u zbatuar ky urdhër nga OSHP-ja. Nuk është e vërtetë që kemi buxhet të mjaftueshëm.  Ne do të bëjmë ankesë në vendimin e OSHP-së. Duhet konsultuar me ligjin dhe për të vepruar sipas ligjit. Ose tjetër herë duhet OSHP-ja t’i hapë tenderët në Komunën e Prizrenit”, ka deklaruar Paçarizi.
Në anën tjetër, dy kompanitë që pretendojnë të kenë fituar këtë tender janë në pritje të njoftimit nga Komuna e Prizrenit.
Pronari i kompanisë “Themeli”, Qemail Morina, ka thënë se ai është në pritje që Komuna e Prizrenit të thërrasë për të nënshkruar kontratën për të rregulluar këtë rrugë, pasi që OSHP-ja ka pranuar ankesën e tij duke e konfirmuar se është fituese e këtij tenderi.
“OSHP-ja ka prurë vendim. Aty shumë mirë shkruan se e ka urdhëruar Komunën e Prizrenit, ndërsa mua ende nuk më kanë ftuar”, ka deklaruar Morina. “Unë kam paraqitur ankesë dhe në bazë të saj e kanë shqyrtuar lëndën dhe më kanë sjellë vendimin, tash unë po pres me u zbatua”, ka shtuar ai.
Edhe Baki Hoxha, përfaqësues i kompanisë tjetër ofertuese, “Viacom” sh.p.k., që në të dy tenderët kishte ofertuar me çmim më të lirë, është në pritje të njoftimit nga kjo komunë se kush është fituese e këtij tenderi.
“Ne jemi në pritje të një njoftimi nga Komuna e Prizrenit se kush është shpallur fitues i këtij tenderi. Unë kam ofertuar me çmimin e njëjtë si në herën e parë”, ka deklaruar ai.
Hoxha kishte deklaruar se në tenderin e parë i ishte bërë e padrejtë përderisa nuk ishte shpallur fitues i këtij tenderi edhe pse kishte ofertuar me rreth 66 mijë euro më lirë se firma “Themeli” e shpallur fillimisht si fituese e këtij tenderi nga Komuna e Prizrenit me çmim prej rreth 261 mijë e 693 eurosh.
Ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit e kompanisë “Themeli”, pas anulimit të këtij tenderi, ka bërë që ky projekt të hyjë në një rrugë pa krye.
OSHP-ja ka pranuar si të bazuar ankesën e kompanisë që fillimisht ishte shpallur fituese e këtij tenderi, dhe ka urdhëruar Komunën e Prizrenit që të vazhdojë  procedurën e prokurimit në bazë të njoftimit të dhënë për shpalljen e kompanisë në fjalë si fituese e këtij tenderi, dhe madje brenda tri ditësh. Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur edhe pse para 20 ditësh është marrë vendimi i OSHP-së për këtë çështje.
Arsyetimin e kësaj komune se tenderi është anuluar shkaku i mungesës buxhetore, OSHP-ja e ka cilësuar si të pabazuar.
“Në bazë të dokumentacionit është konstatuar se nga autoriteti kontraktues (Komuna e Prizrenit) për këtë aktivitet të prokurimit është ofruar dispozicioni i mjeteve në vlerë prej 130.000.00 eurosh, ndërsa nga UN-Habitat, si bashkëfinancues i projektit, janë ofruar mjete në vlerë prej 194.549.00 $ ose rreth 147,322.67 eurosh, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur në mes UN-Habitat dhe Komunës së Prizrenit më 31.03.2010”, thuhet në vendimin e OSHP-së, të cilin e ka siguruar gazeta.
Paneli shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se nuk është dashur të anulohej tenderi në fjalë, pasi që është bërë publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës.
“Po ashtu komisioni në raportin e vlerësimit ka vlerësuar që me kontratë të shpërblehen për të dy lotet operatorët ekonomikë që kanë plotësuar kushtet e kërkuara dhe kanë ofruar çmimin më të ulët”. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›