Tiranë; Në kërkim Logu, akuzohet për përdhunimin e 18-vjeçares
Një 18-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për përdhunimin e një adoleshenteje. Bëhet fjalë për shtetasin Genc Logu, i cili banon në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, ndalimi i tij u krye pas denoncimit të kryer nga 16-vjeçarja me inicialet Lorena L. Sipas burimeve policore, 16-vjeçarja ka denoncuar shokun e saj, pasi ky i fundit e ka rrahur dhe më pas e ka përdhunuar. Lorena L., banuese në Tiranë, ka depozituar dy ditë më parë një kallëzim penal në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në Seksionin Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit. Adoleshentja tregon se ajo është marrë me dhunë nga shoku i saj, i cili jo vetëm që e ka përdhunuar, por më pas e ka mbajtur dy ditë të mbyllur, duke e kërcënuar që të mos tregonte gjë tek të afërmit e saj. Pas kësaj ngjarjeje, 18-vjeçari, i dyshuar si autor, është shpallur në kërkim nga ana e policisë. Sipas burimeve nga policia, Logu akuzohet se në datën 22 të këtij muaji ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 16-vjeçare. Sipas kallëzimit të depozituar në polici, 16-vjeçarja Lorena L., tregon se në datën 22 maj kishte qenë se bashku me të njohurin e saj, Genci Logu, 18 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 8 klasë. Mësohet se pasi ishin takuar bashkë, Logu, duke përfituar nga fakti që njiheshin prej disa kohësh, e ka marrë me zor në automjetin e tij dhe më pas e ka shpurë në një hotel, në afërsi të “Doganës”. Adoleshentja sqaronte në kallëzim se pas kundërshtimeve të saj, 18-vjeçari e kishte goditur atë me grushte dhe më pas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Vajza po ashtu ka bërë të ditur se i riu e ka mbajtur atë të mbyllur dy ditë. Sipas burimeve, mësohet se ai e ka kërcënuar vajzën, që të mos tregonte gjë në lidhje me atë që kishte ndodhur. Më pas, ai është larguar. Policia e kryeqytetit dje ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Logut. Ky i fundit, sipas policisë, ka qenë i proceduar më parë, për veprën penale të “vjedhjes”.