Tensionohet situata, banorët përplasen me policinë për tokat
VLORË- Tensionohet situata në Orikum. Në ditën e dytë të protestës banorët janë përplasur me policinë, në tentativë për të hequr rrethimin e truallit ku po ndërtohet një kompleks pallatesh banorët që pretendojnë pronësinë janë konfliktuar me forcat e policisë. Mes të dy palëve ka pasur ushtrim dhune.
Protestat e përsëritura, ish punonjësit e ndërmarrjes bujqësore të Orikumit, i kanë shoqëruar edhe me bllokimin e punimeve të ndërtimeve që po kryhen në tokat që ata pretendojnë me ligjin 7501. Duke marrë shkas nga bllokimet e punimeve, forca policie kanë zbarkuar sot qytezën e vogël bregdetare.
Forcat e policisë kanë larguar forcërisht banorët. Këta të fundit gjendeshin që prej disa ditësh aty duke mos lejuar vijimin e punimeve në një prej gropave të hapura. Duke parë këtë situatë janë mbledhur dhe njerëz të tjerë, të afërm dhe banorë të prekur nga çështja e pronësisë, gjë që ka rritur numrin e protestuesve, por edhe tensionin e krijuar mes tyre dhe forcave të rendit. Ka pasur protestues të cilët kanë pohuar se po keqtrajtoheshin edhe nga blutë e policisë, në një kohë që protestonin për të marrë atë që u takon. "Nuk po gjejmë dot forma e mënyra për të drejtën tonë, në një kohë kur ligji nuk funksionon"- thanë banorët. Ata kanë akuzuar për abuzime që po bëhen me pronat. Duke hasur në kundërshtimin e banorëve për të zhbllokuar punimet, disa prej tyre u shoqëruan në komisariatin e Vlorës, ndërsa shumë të tjerë u gjendën në dyert e policisë duke kërkuar që të liroheshin të afërmit e tyre.