E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë, 49 vjeçari rrihet në komisariat, denoncon dhunën

Sërish akuza për ushtrim dhune ndaj qytetarëve nga ana e uniformave blu, këtë radhë në Tepelenë. Një 49 vjeçar nga Gjirokastra, denoncon se është rrahur me mjete të forta në ambientet e Komisariatit të Tepelenës nga policë e civilë. 

TEPELENE- Një tjetër episod i dhunshëm në dëm të qytetarëve rëndon mbi uniformat blu të Qarkut të Gjirokastrës. Bexhet Serjani 49 vjec nga Gjirokastra, denoncon se është rrahur me mjete të forta në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë së Tepelenës nga policë dhe civilë. Viktima ka denoncuar në Prokurorinë e Gjirokastrës si shkaktar të dhunës Argjir Çelën funksionar në Policinë e Tepelenës dhe personat e tjerë të cilët kanë ushtruar dhune ndaj tij në ambientet e brendshme të Policisë së Tepelenës.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Tepelenës ku Argjir Çela oficer policie komandant i Policisë së Rendit është konfliktuar me Bexhet Serjanin në një lokal në qytetin e Tepelenës. Shkaku sipas të dëmtuarit pretendohet se ka qenë thyerja e qëllimshme e xhamit të makinës së tij disa kohë më parë për të cilën ai akuzon Çelën.

49 vjeçari Bexhet Serjani ka bërë kallëzim penal ndaj oficerit të policisë duke marrë si garanci edhe raportin mjeko-ligjor nga specialistët ku duken qartë shenjat e dhunës në trup. Ndërkaq nga ana e vet policia e Gjirokastrës ka deklaruar se për këtë ngjarje është ngritur një grup specialistësh për hetimin e çështjes ndërkohë që është pezulluar nga detyra oficeri i policisë Argjir Çela deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes nga ana e organeve të drejtësisë.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›