E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Arsim për punësim

Malësi e MadheKryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndalur në Koplik të Malësisë së Madhe, ku ka shpalosur programin e kësaj partie për qeverisjen e vendit, në rast fitoreje. “Politikanët tanë të vjetër e kanë katandisur jetën politike në një shfaqje vulgare akuzash, shpifjesh dhe fyerjesh, ku për pushtetin e disave, sakrifikohen prej 18 vitesh, shpresat dhe interesat e të gjithëve, duke i ndarë shqiptarët djathtas e majtas, jo në emër të vizioneve, ideve, programeve për të ardhmen, por në emër të tifozllëkut të urrejtjes, që e ka ushqyer për 18 vjet rresht me urrejtjen e së shkuarës, kjo politikë e së vjetër na ka tërhequr zvarrë për 18 vjet, në një lojë që mund ta luajnë vetëm politikanët dhe që e paguajnë vetëm qytetarët”-theksoi Rama.

Kreu i PS-së, tha se tashmë ka ardhur koha që t’i jepet fund kësaj politike të vjetër dhe t’i çelet rrugë qeverisë së re në bashkimin përtej së majtës dhe së djathtës.

“Ne do ta nxjerrim vendin nga kthetrat e varfërisë, ku janë me dhjetëra mijëra familje, duke e kthyer programin e ndihmës ekonomike në një fond të integrimit social. Do të kalojmë nga lëmosha paralizuese për familjet e varfra, te pagesat nxitëse për punë në komunitet dhe aktivitet prodhues. Pagesa e papunësisë të paktën do të dyfishohet”-tha Rama para banorëve.

Ai theksoi se punësimi do të jetë “kryefjala e përpjekjes tonë dhe çdo njeri i papunë do të jetë njëri nga ne që ka nevojë për ndihmë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›