Terrorizmi ndërkombëtar, lista me emra të rinj bashkëpunëtorësh
Qeveria shqiptare ka miratuar dje listën shtesë të ardhur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me emrat e personave të lidhur me terrorizmin. Ajo që bie në sy është se nuk ka asnjë shtesë te lista e kompanive që bashkëpunojnë me talebanët. është rritur numri në tri listat e tjera: me një person ajo e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talebanët, me plot 62 emra lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë të organizatës Al-Kaeda, dhe 9 kompani që bashkëpunojnë me organizatën Al-Kaeda.
Sipas vendimit të qeverisë, në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr. 718, datë 29.10.2004 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen shtesat në listat e sipërpërmendura. “Në fund të listë së individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talebanët, shtohen personat e renditur në listën (a), sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për talebanët dhe Al-Kaedan. Po ashtu, në fund të individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Kaeda, shtohen personat e renditur në listën (b). Në fund të listës së kompanive, që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Kaeda, shtohen kompanitë e renditura në listën (c), sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për kompanitë që kanë lidhje me talebanët dhe Al-Kaedën, si dhe personat, organizatat dhe kompanitë, të cilat rezultojnë si financuese apo që ndihmojnë terroristët dhe organizatat terroriste”, shkruhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Duke iu referuar edhe vendimit të vitit 2004, që mban firmën e ish-kryeministrit Fatos Nano, pas shtesave, lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talebanët, tashmë do të ketë 144 emra, ndërsa ajo e kompanive që bashkëpunojnë me talebanët mbetet e pandryshuar, me një kompani. Ndryshime ka edhe lista e tretë, ajo e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Kaeda, e cila do të ketë plot 237 emra. Në vijim, lista e kompanive që bashkëpunojnë me organizatën Al-Kaeda zgjerohet duke numëruar 122 subjekte.
#