E Diel, 1 Nëntor 2026

Testamenti i Gjon Palit II

05/04/2005  Varri i tij do të jetë në Vatikan. Bie “legjenda” e varrimit në vendlindje

Papa nuk ka lënë asnjë porosi për t’u varrosur në Krakovë. Nuk ishte në gjendje të komunikonte dy orë përpara se të vdiste

Shumë domethënës është fakti që Gjon Pali II do të zërë vendin e Gjon XXIII, të cilit i kish marrë emrin, duke ia bashkuar me atë të Palit VI, varri i të cilit ndodhet pak më tutje

Papa Vojtila do të varroset në Vatikan, nën Bazilikën e Shën Pjetrit: do të zërë vendin ku dikur ndodhej Gjoni XXIII, përpara se të zhvendosej në Bazilikë, në vitin 2000. Zgjedhja nuk është bërë nga vetë Papa, i cili ua ka lënë bashkëpunëtorëve të tij. Vendimi formal merret nga Mbledhja e Kardinalëve, të cilët janë mbledhur dje për herë të parë.

Bie kështu, përfundimisht, “legjenda” e varrimit në tokën mëmë, në Krakovë, siç është shkruar shumë herë – prej të paktën 15 vitesh – nga ana e të apasionuarve pas kësaj çështje

Një legjendë që duket se lindi gjatë njërit prej nëntë udhëtimeve në Poloni të Gjon Palit II, me spekulimet e ndokujt, që thosh se mund t’i ndodhte “diçka” gjatë udhëtimit.

Prej saj kanë lindur edhe të tjera, më fantaziste, si për shembull ajo që imagjinonte se mund të ishte qëllimi i Papës, në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme të gjeneralit Jaruzelski në 1980, që të hiqte dorë nga papacia për t’u rikthyer në Poloni dhe mbrojtur vendlindjen e tij nga kërcënimi sovjetik. Dhe pastaj, natyrshëm, si një ish- Papë, ai mund të varrosej në Vavel, së bashku me të tjerë priftërinj bashkatdhetarë. Fakti që Vojtila kish menduar për të hequr dorë nga papacia është përgënjeshtruar disa herë, si në Poloni ashtu edhe në Romë.

Një tjetër legjendë, e përgënjeshtruar tashmë jo nga deklaratat, por nga faktet, thoshte se Papa do të hiqte dorë nga papacia gjatë njërit prej dy udhëtimeve të fundit në Poloni.

Por sot, del në pah zgjedhja faktuale, ajo e varrimit në Vatikan. Sepse rregulli thotë që aty varrosen Papët që nuk zgjedhin ndryshe.

Shumë domethënës është edhe fakti që Gjon Pali II do të zërë vendin e Gjon XXIII, të cilit i kish marrë emrin, duke ia bashkuar me atë të Palit VI, varri i të cilit ndodhet pak më tutje.

Të njëjtat burime të sigurta nga Vatikani, bëjnë të ditur se nuk kanë qenë autentike të dhënat për testamentin e Vojtilës, që u botuan nga një e përditshme spanjolle. Testamenti i tij i vërtetë është ende i panjohur, dhe i takon Kardinalëve që të marrin vendim në lidhje me publikimin e tij.

Gjithashtu, u konsiderua një shpikje lajmi që Papa kishte thënë “Amen” përpara se të jepte frymë. Të pranishmit thonë se Papa Vojtila nuk mund të komunikonte që dy orë përpara se të vdiste.

E gjithë bota në radhë për vdekjen e Papës

Pranë Bushit, të dërguarit e Kastros

Presidenti i Shteteve të Bashkuara pritet të jetë i pranishëm së bashku me të atin, Klintonin dhe Karterin. Do të jenë edhe Shirak e Lula

Kastro i ka lejuar dy herë kardinalit Jaime Ortega, Arkipeshkvi i Havanës, të japë një mesazh për besimtarët e ishullit përmes televizionit shtetëror. Kurrë më parë, kardinali Ortega nuk ishte shfaqur në televizionin publik kuban, të kontrolluar nga regjimi

Air Force One duhet të sjellë në Romë George Bushin, bashkëshorten e tij, Laura dhe të atin George. Por janë edhe dy ish-presidentë të SHBA që mund të vendosin të vijnë në Vatikan për të marrë pjesë në funeralin e Gjon Palit II. Tashmë kanë shprehur qëllimin për të ardhur Bil Clinton dhe Jimmy Carter.

Do të jenë më shumë se dyqind delegacione shtetërorë që do të mblidhen në Romë. Njerëz të fuqishëm nga të gjithë racat dhe besimet fetarë, të gatshëm për t’i bërë homazhe Papës që ndryshoi historinë. Fakti që ka shpallur tri ditë zie në Kubë, nuk përjashtojnë mundësinë që Fidel Kastro të vendosë të jetë i pranishëm. Megjithatë, bëhet fjalë thjesht për një hipotezë, ndonëse analistët ndërkombëtarë nënvizojnë vendimin e tij historik: i ka lejuar dy herë kardinalit Jaime Ortega, Arkipeshkvi i Havanës, të japë një mesazh për besimtarët e ishullit përmes televizionit shtetëror. Kurrë më parë, kardinali Ortega nuk ishte shfaqur në televizionin publik kuban, të kontrolluar nga regjimi.

Nga Spanja do të vijë Kryeministri Zapatero dhe ndoshta edhe mbreti Huan Karlos së bashku me mbretëreshën Sofia, të birin Filip dhe të shoqen, Leticia. Nga Brazili do të vijë Presidenti Lula, i cili ka deklaruar: “Eshtë minimumi që mund të bëj për një njeri që ka lënë shenjë të fortë në epokën time. Kam një borxh mirënjohjeje ndaj këtij njeriu”.

Ndërkohë që është e sigurtë prania e Presidentit polak, Kvasnievski dhe paraardhësit të tij, udhëheqësit të Solidarnostit, Lech Valesa, është shumë e mundur edhe prania e Presidentit francez, Zhak Shirak. Ndërkohë, dy ditë më parë televizioni britanik BBC bëri të ditur se edhe Kryeministri Toni Bler ka vendosur të marë pjesë në funeralin e Papës në Vatikan.

Izraeli do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Silvan Shalom, por nuk përjashtohet ardhja e Sharonit dhe Presidentit Katsav. Nga Ukraina mund të vijë Presidenti i sapozgjedhur, Jushenko, ndërkohë që është e sigurtë ardhja e Presidentit të Meksikës, Vincente Fox. Ndërkohë që nuk është dhënë asnjë lajm në lidhje me pjesëmarrjen e mundshme nga Kremlini të Vladimir Putinit, ndërsa Gorbaçov me siguri do të jetë i pranishëm.

Gjithashtu, kanë deklaruar se do të jenë të pranishëm shumë autoritete fetare myslimane dhe hebraike. Metropoliti Kirill do të përfaqësojë Patriarkatin ortodoks të Moskës. Edhe shumë kurora kanë thënë se do të nderojnë për herë të fundit Papën Gjon Pali II. Nga Belgjika do të jenë Mbreti Albert II dhe mbretëresha Paola. Në Romë do të jenë edhe Viktor Emanueli i Savojës dhe e shoqja, Marina.

Protokolli i Funeralit

-Funerali dhe varrimi duhet të ndodhin midis ditës së katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së Papës, përveçse kur ka arsye “të veçanta” të papërcaktuara, kjo sipas rregullave të vendosura nga Papa Gjon Pali II në 1996. Kardinalët janë mbledhur dje në një takim para Konklavës që cakton edhe datën e funeralit.

-Funerali do të zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit. Udhëheqës nga e gjithë bota do të marrin pjesë. Të pranishëm do të jenë edhe shumë Kardinalë, përfshirë ata që do të zgjedhin Papën e ri.

-Aktivitetet drejtohen nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, që aktualisht është Joseph Ratzinger, gjerman, dhe ceremonia pritet të zgjasë më shumë se dy orë. Gjatë një pjesë të Meshës, Garda zvicerane, e veshur me uniforma ngjyrë ari dhe të kuqe, gjunjëzohet dhe mban armët me dorën e djathtë dhe përshëndet me të majtën.

-Gjatë funeralit të fundit papnor, ai i Gjon Palit I në 1978, arkivoli i Papës u vendos mbi një qilim, përballë altarit. Kardinalët, me rroba të kuqe nderuan të renditur sipas moshës dhe zunë vendet e tyre.

-Gjatë dy funeraleve të fundit, një Ungjill vendoset mbi arkivol për të simbolizuar rikthimin në përulësi.

-Pjesa më e madhe e Papëve në shekujt e fundit kanë kërkuar të varrosen në Bazilikën e Shën Pjetrit. Pas funeralit zhvendosen përmes “derës së vdekjes” në krahun e majtë të altarit kryesor në Bazilikë. Kambana bie vetëm një herë. Arkivoli vendoset në një sarkofag të mermertë dhe mbulohet me një pllakë të madhe guri.

Mehmet Ali Agça mban zi për Papën

Atentatori që qëlloi Papën Gjon Palin, 24 vjet më parë, po mban zi për humbjen e njeriut që e konsideronte si vëlla. Sipas familjes së tij, Mehmet Ali Agça është hidhëruar nga vdekja e Papës. Agça e plagosi rëndë Papën në vitin 1981 në Sheshin e Shën Pjetrit. Dy vjet më vonë, Papa e vizitoi atentatorin në burg dhe e fali atë. Që nga ajo kohë, vëllai i Mehmet Aliut dhe nëna e tij kanë vizituar disa herë Vatikanin dhe janë takuar me Papën.

Shumë njerëz e vlerësojnë pajtimin e Papës me atentatorin, si një shembull të parimeve të besimit katolik për të falur. Pas 19 vjet burg në Itali për plagosjen e Papës, Mehmet Aliu u ekstradua në Turqi për t’u përballur me dënimin për një krim tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›