Teuta shpallet “mbretëresha” e dimrit,gjyqtarin Enea Jorgji e shpëton policia!
Durrsakët kanë siguruar matematikisht kreun për fazën e parë, duke ruajtur distancën e pesë pikëve me Tiranën, ndjekësen më të afërt. Pogradecarët kanë kontestuar gjykimin e kryesorit Jorgji dhe në fund është tentuar nga zyrtarët dhe tifozët që të goditet gjyqtari
Është shmangur për një fije ajo që ndodhi dy javë më parë në Laç. Kësaj radhe skena ishte zhvendosur në Pogradec. Është minuta e 89-të e takimit dhe pas një penalltie të akorduar nga gjyqtari Enea Jorgji dhe të shndërruar në gol nga Tefik Osmani. Ky ishte edhe goli i fitores për durrsakët, por sapo është vërshëllyer fundi i 90 minutave, tifzoët e irrituar kanë hedhur në fushë gurë e sende të tjera të forta, ndërsa drejtues të Pogradecit kanë vrapuar për t’u “sqaruar” me Enea Jorgjin. Por ndryshe nga sa ndodhi me Jeminin në Laç, dje policia ka vepruar menjëherë duke e marrë nën mbrojtje treshen e gjykimit, çka evitoi ndonjë degjenerim të mëtejshëm të situatës. Gjyqtarët janë nxjerrë me eskortën e forcave blu nga qyteti. Por jo vetëm gjyqtarët. Edhe lojtarët e Teutës janë vënën nën shënjestrën e tifozërisë së Pogradecit. Këta të fundit kanë rendur me shpejtësi në dhomat e zhveshjes duke i shpëtuar kështu zemëratës së publikut të irrituar.
Ndeshja
5 pikë avantazh me Tiranën kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur dhe Teuta e ka në xhep kurorën e kampionit të dimrit. Skuadra bregdetare është e vetmja që në këtë sezon ka arritur të prekë kuotën e 10 fitoreve, duke lënë pas 24 herë kampionët me 8 fitore. Ky sezon po ecën me ritme të kënaqshme për skuadrën e drejtuar nga dyshja Lika-Starova, ndonëse për të gjetur një triumf me dy gola diferencë në këtë shuk trepikëshash, është diçka e vështirë, pasi në vetëm një përballje, Teuta ka mundur të shënojë 3 herë dhe të pësojë vetëm një gol. Kjo, ndryshe nga sa bën zakonisht, kur mjaftohet me fitore 1-0 apo 2-1.
Durrsakët e drejtuar nga Hasan Lika kanë dalë duarplot edhe nga transferta e vështirë e Pogradecit, duke fituar 2-1 një 90 minutësh shumë delikat. Eminhazeri do të shënonte në fillim për liqenorët, por bregdetarët do të përmbysnin gjithçka me golat e Çotës në minutën e 68-të dhe Osmanit në minutën e 89-të. Goli i dytë i miqve ka ndezur edhe protestat e liqenorëve, që e kanë kontestuar gjatë gjykimin e kryesorit Enea Jorgji.
Tirana i falet… Vashakut
Edhe Tirana ka fituar përballjen me Laçin, duke mos e lejuar Teutën që të shkëputet edhe më shumë. Ka qenë një fitore e vështirë ajo për kryeqytetasit, pasi një gol i Morinës, ku një pjesë të madhe të fajit e kishte portieri Vashaku, ka mjaftuar për bardheblutë që të merrnin tre pikët në një ndeshje ku Laçi u përpoq vërtet shumë që të mos dilte duarbosh. Ahmataj ka harkuar në zonë dhe Morina ka tentuar të devijojë topin, por pa mundur dot t’i japë forcën e duhur. Për Vashakun bëhet fjalë për një pritje elementare, por gardiari i kurbinasve bën të paimagjinueshmen: topi i rrëshqet nga duart dhe pasi kalon mes këmbëve të portierit, përfundon në rrjetë. Në fakt, në momentin e golit të pësuar, ishin kurbinasit ata që po shtynin më shumë në kuadratin e Ilion Likës, por pa mundur të konkretizonin dot në asnjë rast. Edhe në momentet e vështira, Lika është shfaqur i sigurt duke ruajtur kuadratin e ti.
Bylisi mposht Tomorin
Bylisi ka mposhtur Tomorin dhe merr një fitore me shumë vlera në luftën për mbijetesë. Ballshiotët e kanë parë veten në disavantazh shumë shpejt pas golit të Klodian Arbërit, por një minutë më pas ka barazuar Teqja për mallakastriotët. Ende pa u mbushur 120 sekonda ka qenë Korreshi që ka dyfishuar për Bylisin dhe në fund të pjesës së parë po Korreshi ka vulosur shifrat 3-1. Në pjesën e dytë realizon Shoshi për vendësit dhe në fund të takimit Bakiu e ka bërë më pak të dhimbshme disfatën për miqtë.
Vllaznia përmbys Dinamon
Shkodranët nuk u kanë besuar syve kur kanë parë Ariel Shtinin që të shënonte në portën e Vujadinoviçit. Rudi Vata padyshim që ka ndjerë presionin më të madh që kur është ulur në stolin e shkodranëve. Kjo pasi Dinamo ka marrë vetëm 3 barazime në gjithë sezonin e saj. Të tjerat humbje… Megjithatë, kuqeblutë e ndreqin gjithçka në pjesën e dytë. Dy gola të shpejtë me anë të Smajlit dhe Vajushit kanë kthyer buzëqeshjen në Shkodër. Në fakt, Vllaznia ka kërkuar që ta mbyllë me kohë ndeshjen dhe ka kërkuar golin e tretë, për të shmangur ndonjë befasi të pakëndshme, sidoqoftë, Dinamo nuk kishte më forca që të godiste sërish.
Pas ndeshjeve
Rubio: Një fitore me shumë vlerë
E ka thënë gjithnjë se Laçi është një nga ato skuadra që nuk duhet marrë kurrë lehtë. Trajneri spanjoll i kryeqytetasve e dinte shumë mirë se me kurbinasit do të ishin një kafshatë e vështirë dhe është çliruar shumë kur pa parë Vashakun të shënonte praktikisht një autogol. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne dhe kështu e kisha parashikuar. U bë një ndeshje e fortë, sidomos në mesfushë. Terreni ishte shumë i vështirë, megjithatë mendoj se për ne ishte një fitore e merituar dhe që na ndihmon shumë,” është shprehur pas ndeshjes trajneri i 24 herë kampionëve të vendit.
Pogradeci: Jorgji i dha fitoren Tutës
Tifozët e Pogradecit nuk e kanë kapërdirë dot humbjen në shtëpi ndaj Teutës dhe nuk kanë ngurruar që të akuzojnë në një komunikatë kryesorin e takimit, Enea Jorgji, për njëanshmëri. “Ndonëse Pogradeci bëri maksimumin, u duk qartë se ishte e pamundur që liqenorët të merrnin pikë me atë gjykim skandaloz të Enea Jorgjit, që bëhet protagonist në dy rastet e golave. Së pari nuk sinjalizon pozicion të dukshëm jashtë loje kur Dosti del vetëm me Hoxhën dhe topin e kthyer nga portieri, e gjuan Çota i Teutës që barazon. Në minutën e fundit i jep një penallti inekzistente Teutës!”