Thaçi : Maqedonia nuk ka të ardhme pa shqiptarët
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e partisë që drejton, duke thënë se pa shqiptarë nuk do të ketë Maqedoni. Këto komente ai i bëri gjatë konferencës së VIII- të RDSH-së, ku u zgjodh edhe kryetari i rinisë së këtij subjekti politik. "Maqedonia nuk ka ardhmëri tjetër, maqedonasit nuk kanë ardhmëri tjetër , përveçse të krijojnë shtet të përbashkët me shqiptarët, ose s'do të kenë as shtet as komb, e asgjë", tha Thaçi. "Nuk do të bëhet Maqedonia pa qenë vendimmarrja me konsensus, vendimmarrja duhet të jetë e përbashkët mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe përfundimisht ta harrojnë projektin e Titos, projektin e Gruevskit se do tani të ngritin shtetin sllavo ortodoks maqedonas mbi tokat shqiptare", vijoi kreu i PDSH në fjalimin e tij. Sipas tij, pa u përcaktuar qartazi statusi juridiko kushtetues i shqiptarëve, nuk mund të flitet për perspektivë". Thaçi shtoi se kongresi i BDI-së një ditë më parë është karakterizuar si një ceremoni mortore, tragjike e qesharake.