E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turk: Sllovenia mbështet Kosovën për heqjen e vizave

Liria e lëvizjes është një prej parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu që, heqja e vizave nënkupton mundësinë e zbatimit të kësaj të drejte", tha në Prishtinë, presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, duke mbështetur ambiciet e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave. "Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, qoftë me praninë e saj ushtarake e civile, ashtu edhe në kuadër të politikave integruese evropiane", tha më tej presidenti slloven, Danilo Turk. Këto komente, Turk i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve lokale dhe pjesëmarrja e serbëve ishin hapa inkurajues për shtetin e ri të Kosovës, tha presidenti slloven. Ndërsa premtoi praninë sllovene në misionin civil të BE-së dhe forcën e KFOR-it, presidenti slloven tha se e përkrah plotësisht Kosovën, si dhe vendet tjera të rajonit, edhe në ambiciet integruese europiane dhe në liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, ai rikujtoi se disa vende të rajonit duhet t'i përmbushin edhe disa kritere të parashikuara. Kurse, pozicioni slloven, sipas presidentit Turk, ka qenë nga fillimi se nuk duhet të ketë ndalesa në lidhje me liberalizimin e vizave. Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Sllovenia në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv në raport me Kosovën. Ai falënderoi shtetin slloven për këtë angazhim dhe premtoi bashkëpunimin konstruktiv të Kosovës me shtetin slloven. presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri Hashim Thaçi. Presidenti slloven është i shoqëruar edhe nga ministrja sllovene e Mbrojtjes, Lubica Jelushiq

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›