E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Administrata e re amerikane mbështetje Kosovës

Prishtinë -Marrëdhëniet Kosovë-SHBA do të jenë përjetësisht të shkëlqyera, deklaroi sot pasdite kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë duke njoftuar për ftesën që Uashingtoni u ka bërë drejtuesve më të lartë të vendit. “Në adresë të institucioneve të Kosovës, presidentit, kryeministrit, ministrit të Jashtëm, kemi ftesën nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton për një vizitë zyrtare në SHBA. Kjo vizitë shënon fillimin e mbështetjes nga administrata e re e presidentit Obama për Kosovën”, tha kryeministri Thaçi.

Ai bëri të ditur se në Uashington udhëheqësit më të lartë të Kosovës do të kenë “edhe takime të tjera të rëndësishme për thellimin e partneritetit, zhvillimit ekonomik dhe sfera të tjera”. “Marrëdhëniet Kosovë-SHBA do të jenë përjetësisht të shkëlqyera”, theksoi Thaçi duke shtuar se “populli i Kosovës përulet me respektin më të lartë për qeverinë dhe popullin amerikan”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›