E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: Beogradi s'na ndal në vendosjen e ligjit në veri, ja plani

PRISHTINE- Kryeministri Thaçi akuzon Beogradin se po përgatit dhunë në veri, por se kjo nuk do të ndalë qeverinë në vendosjen e kontrollit doganor në pikën kufitare 1 dhe 31. Procesi është parashikua të nisë më 16 shtator. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Thaci prezantoi pjesë të planit operacional për vendosjen e kontrollit doganor në pikat doganore 1 dhe 31 që do të fillojë nga data 16 shtator.

Sipas planit në pikën 1 në Jarinje nuk do të lejohet qarkullimi i mallrave komerciale për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, ndersa mallrat që hyjnë në pikën 31 në Bërnjak do të zhdoganohen. Përjashtim do të ketë për cigaret, derivatet e naftës, dhe mallrat tjera me akcizë të cilat do të drejtohen në Merdar për procedura doganore. Kryeministri e kritikoi Beogradin se po përgatit dhunë në veri por kjo sipas tij nuk do të jetë pengesë për zbatimin e planit.

Para publikimit të detajeve të planit për pikat 1 dhe 31, kryeministri ka shpalosur atë që ai e quajti vizion të Qeverisë për veriun e Kosovës. Aty parashihet që institucionet e Kosovës të fillojnë funksionimin në të gjitha sferat për të përmirësuar jetën e qytetarëve të veriut, për të cilët kryeministri tha se po mbahen peng nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

Këto struktura do të ballafaqohen me ligjin dhe në këtë drejtim nuk do të ketë kompromis, pohoi kryeministri.
(s.g/rtk/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›