E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Dialogu, për çështje që lehtësojnë jetën e qytetarëve

Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 14:31

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pritur sot në takim Robert Cooper-in, zyrtar i lartë në kabinetin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshës Catherine Ashton.

Emri i Cooper-it është përmendur nga mediat si ndërmjetësues i BE-së në dialogun që pritet të nisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Në takim është diskutuar për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, në kontekst të integrimeve evropiane dhe përmirësimit të raporteve ndërfqinjësore. Në këtë kuadër, në takim u potencua se dialogu për çështje praktike do të fokusohet në çështjet të cilat do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyjave vendeve, siç janë lëvizja e lirë, shkëmbimi tregtar dhe bashkëpunimi rajonal", thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana e tij, kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e reja të Republikës së Kosovës janë të përkushtuara plotësisht për agjendën evropiane, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, mirëqenien e qytetarëve, raportet e mira me të gjithë fqinjët, të cilat do të çojnë në afat sa më të shpejtë tek integrimi euroatlantik i Kosovës.

Në takim, ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun për çështje praktike me Republikën e Serbisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›