E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Fillimi i njohjes de-jure nga Serbia

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 15:41

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se më 16 shtator do të fillojë implementimi i plotë i marrëveshjes mes Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për funksionimin e plotë të pikave 1 dhe 31 në veri, ndërsa marrëveshja për vulat doganore sipas tij paraqet fillimin e njohjes de-jure të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të mërkurën, ka shprehur edhe njëherë zotimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e marrëveshjes në Bruksel për vulat doganore, me ndërmjetësimin e BE-së. Sipas tij arritja e kësaj marrëveshje paraqet de jure njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Kjo në një formë a formën tjetër është edhe fillimi i njohjes de-jure nga Serbia për Kosovën. Ky ka qenë përcaktimi dhe platforma jonë të pranohen vulat doganore të Kosovës nga shteti i Serbisë. Kjo po ndodh tani pas 12 vite e gjysmë tani të gjitha mekanizmat shtetërorë janë duke kryer përgatitjet e tyre operacionale për implementimi sa më të shpejtë të këtij projekti”, ka theksuar Thaçi

Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur nga mediat se zyrtarët e lartë të BE-së tërheqin vërejtjen për mos përsëritjen e aksioneve të njëjta sikurse të 25 korrikut në veri, Thaçi ka thënë se edhe Brukseli edhe Uashingtoni nuk dëshirojnë kthimin e gjendjes para kësaj date.

“Tashmë ka vetëm vendime të reja që e konsolidojnë realitetin demokratik atje. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri, është në konflikt me ata që kanë shkelur rendin dhe ligjin të cilët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Për më tepër ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës ka agjendën e vet, agjendë që është drejtim të forcimit të shtetit të ndaljes së kontrabandës së plotë dhe vënien e plotë të kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas, kryeministrit Thaçi doganierët e Kosovës do të jenë në pikën 1 dhe 31 dhe do të jenë udhëheqës të doganës. Së bashku me doganierët do të jetë edhe Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Shefi i qeverisë ka theksuar se me datën 16 shtator do të fillojë implementimi i plotë i marrëveshjes mes Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për funksionimin e plotë të pikave 1 dhe 31.

“Qeveria e Kosovës e ritheksova edhe në mbledhjen e Qeverisë është e përkushtuar që më datën 16 të fillojë implementimi i plotë i marrëveshjes mes Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për funksionimin e pikave doganore 1 dhe 31. Fillimisht në 31 se në 1 kemi edhe angazhime tjera logjistike për përmirësimin e infrastrukturës, por ajo që është me rëndësi e theksoj rolin që do të kenë institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër, kryeministri Thaçi vlerëson se do të ishte me interes që edhe Serbia të informojë qytetarët për përgjegjësitë implementuese të kësaj marrëveshjeje nga shteti i Kosovës, në mënyrë që të mos krijohet ndonjë keqkuptim.

Sipas tij çdo qytetar dhe çdo biznes që pretendon për të zhvilluar tregti në Kosovë, do të jetë i përcaktuar që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Për më tepër shef i ekzekutivit të vendit ka thënë se të hyrat doganore do të depozitohen në buxhetin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar me shumicë votash projektligjin për azilin, atë për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, propozim-vendimin përfundimtar për segmentin e pestë për zonat kadastrale Bllacë, Temeqinë dhe Bellanicë, si dhe ka shqyrtuar propozim-vendimin për themelimin e këshillit nacional për persona me aftësi të kufizuara. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›