Thaçi: Kosova do të përfaqësohet edhe me rezolutën 1244
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar se Kosova në nismat rajonale do të përfaqësohet edhe me rezolutën 1244 dhe se askush nuk do lejohet ta pengojë këtë. Sipas tij, ata që mundohen të bëjnë këtë, kanë për qëllim ta izolojnë Kosovën, ta bëjnë antievropiane dhe antiamerikane.
Thaçi ka rikujtuar se shtetformimi dhe shtetndërtimi është një proces me shumë sfida që kërkon kohë, mund, durim, maturi politike, konsensus politik, shtetëror e qytetar.
Kosova do të përfaqësohet edhe në marrëdhëniet rajonale me deklaratën e pavarësisë së 17 shkurtit 2008, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtarë që konfirmon ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës që ka për bazë pakon e Ahtisarit. Do të përfaqësohet edhe me rezolutën 1244, që njeh dhe garanton integritetin territorial të Kosovës dhe siguron prezencën e NATO-së në Kosovë. Pra, Kosova do të përfaqësohet si e barabartë dhe si shtet, ka thënë ai.
Thaçi ka siguruar se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të vihen në pikëpyetje, dhe se, sipas tij, përfaqësimi rajonal i Kosovës dhe rregullimi i brendshëm i kushtetutës janë dy gjëra të ndara. / Kosovapress