E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Ndryshimet në qeveri, të nevojshme

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ditën e djeshme i ka konsideruar të nevojshme ndryshimet në qeverinë që ai drejton, por pa përmendur emra të ministrave në largim. Thaçi tha se i gjithë procesi i ndryshimeve do të kalojë konform kushtetutës së Kosovës

dhe si rezultat do të jetë afirmimi i energjive dhe personaliteteve kredibile në ekzekutiv. Por, ndryshe nga çfarë pritej nga mediat kosovare, kryeministri Thaçi nuk i konfirmoi as dje emrat e ministrave që pretendon ti largojë apo të atyre që do ti sjellë si freskime në qeverinë e tij, por përsëriti se ekzekutivi tashti ka nevojë për energji dhe personalitete të besueshme. Gjatë drejtimit të mbledhjes së qeverisë, Thaçi nuk e përmendi fare çështjen e ndryshimeve eventuale. Kurse, pas takimit, ai sërish tha se kabineti i tij qeveritar ka punuar mirë, por tashti po shtohen nevoja edhe më të mëdha dhe kërkohen energji të reja dhe ndryshime. Afirmimi do të vazhdojë dhe qytetarët janë tepër të informuar. Të gjithë janë në krye të përgjegjësive të veta. Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën, të cilën këto dy vjet e kanë bërë të gjithë njerëzit që kanë qenë në kabinetin qeveritar dhe natyrisht se, me kalimin e kohës, rriten edhe nevojat e qytetarëve, nevojat e ndryshimeve pozitive edhe më të theksuara, e në kuadër të kësaj edhe integrimi i energjive të reja, tha Thaçi. Zhvillimet në qeverinë e Kosovës po përcillen me një heshtje nga kryesitë e dy partive në koalicion, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkohë, njëri nga personalitetet e përfolura si ministër i ardhshëm është edhe ish-kryeministri, Bujar Bukoshi. Emri i tij është lakuar në media si ministër i Shëndetësisë, duke pasuar kështu në këtë post zyrtarin tjetër të LDK, ministrin aktual, Alush Gashi. Bukoshi tha se përveç raportimeve në media, atij askush në vijë zyrtare nuk i ka komunikuar një vendim të tillë nga kreu i qeverisë dhe ai i LDK. Por, siç tha Bukoshi, pavarësisht se për cilën ministri bëhet fjalë, nëse do ti kërkohej zyrtarisht, ai do të ishte i gatshëm për një sfidë të tillë. Në parim, natyrisht se nuk u përtoj sfidave, punëve, detyrave, obligimeve. Në këtë sens, do të thotë nuk u ik, nuk u shmangem. Kam qenë dhe jam i gatshëm, pse jo... Jam në politikë, tha Bukoshi. Procesi i ndryshimeve në qeveri, sipas marrëveshjes për koalicion ndërmjet PDK dhe LDK, i është besuar kryeministrit Thaçi, por në bazë të dakordimit me kreun e LDK. Këto ndryshime janë përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar, por me sugjerime që ato të përfshijnë masa edhe ndaj zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorime financiare. Ndërkaq, opozita i ka cilësuar ato si ndryshime të parëndësishme, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ndryshimet në qeveri ishin paralajmëruar një ditë pas zgjedhjeve lokale, kur zyrtarë të Partisë Demokratike (PDK) kishin njoftuar se e kishin prishur koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo pas pakënaqësive me fitoren bindëse të kandidatit të Lidhjes Demokratike në Prishtinë dhe përplasjeve parazgjedhore mes dy partnerëve qeverisës. Mirëpo një ditë më vonë u tha se koalicioni vazhdonte të funksionojë, por që paralajmërohej se ai do të pësonte ndryshime. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Thaçi, ka inkurajuar autoritetet qendrore dhe lokale që të vazhdojnë me vendosmëri të punojnë për kthimin e të zhvendosurve në pronat e tyre, ndërkaq ka vlerësuar si mesazh të mirë kthimin e 26 familjeve në fshatin Zallç të Burimit. Ai ka thënë se pas krijimit të rrethanave të reja të sigurisë dhe ambientit shumë të përshtatshëm për jetë të re, ka vazhduar kthimi i njerëzve në pronat dhe shtëpitë e tyre. Kabineti qeveritar i Kosovës, në mbledhjen djeshme ka miratuar propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm nacional për zonën Shtabi i UÇK në Kleçkë dhe Divjakë.

Last Updated on E Marte, 30 Mars 2010 19:49

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›