Thaçi: Zhvillimi vjen nga bujqësia

Në hapje të konferencës dyditore “E ardhmja e bujqësisë kosovare në perspektivën e zhvillimit ekonomik”, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se bujqësia do të jetë njëri ndër sektorët bartës të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Kryeministri ka premtuar rritje dhe mbështetje për sektorin që është radhitur në mesin e prioriteteve kryesore të programit qeverisës.
Sipas tij, bujqësia është në mesin e prioriteteve të Qeverisë dhe se ky sektor përbën një potencial të madh dhe si i tillë duhet të përkrahet e të zhvillohet edhe më shumë, në mënyrë që të jetë në gjendje të eksportojë produktet për tregun e jashtëm.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të zhvillojë potencialet ekonomike të vendit, duke u kushtuar rëndësi të veçantë përkrahjes dhe rritjes së sektorëve kyçe siç është bujqësia. Me këtë qëllim, gjatë mandatit tim të kaluar qeverisës, sektori i bujqësisë për herë të parë ka filluar të përkrahet në formë direkte nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne kemi shumëfishuar përkrahjen financiare për prodhimtarinë bujqësore, si dhe kemi krijuar infrastrukturë mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet investimeve kapitale edhe në shumë sektorë të tjerë”, ka thënë Thaçi.
Edhe përkrahja nga donatorët, sipas tij, ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme në ngritjen dhe zhvillimin e këtij sektori. “Rritja e mbështetjes për bujqësinë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti, kurse në planin tonë ekonomik për vitet e ardhshme, sektorin e bujqësisë e kemi radhitur në mesin e prioriteteve kryesore, dhe bazuar në Vizionin dhe Prioritetet e Zhvillimit Ekonomik, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në muajin prill, këtij sektori do ti ofrohet mbështetje më e madhe financiare gjatë viteve të ardhshme”.
“Përderisa rreth 60% e popullatës kosovare jeton në zona rurale, edhe rëndësia e sektorit nënkuptohet që është shumë e madhe. Prandaj, jetësimin e programit qeverisës në fushën e bujqësisë do ta realizojmë duke i futur në lëvizje dhe interaksion të përbashkët të gjithë faktorët prodhues dhe partnerët agro-mjedisor ndërmjet nesh. Kjo domosdoshmëri vjen jo vetëm nga nevojat tona për t’ju pasur juve partnerë, por nga rritja e influencës së komunitetit tuaj të agrobiznesit, si rezultat i pjekurisë me të cilën jeni duke i trajtuar vështirësitë e kohës kundrejt sfidave të ekonomisë sonë në zhvillim dhe konsolidim të vazhdueshëm”.
Kryeministri ka shprehur bindjen se ky sektor do të jetë edhe më frytdhënës dhe shtytës i zhvillimit ekonomik të vendit. “Jam i sigurt, se e ardhmja e sektorit të bujqësisë në perspektivën e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të jetë shumë e suksesshme, nëse vazhdojmë të kultivojmë këtë partneritet, ngase vetëm në këtë mënyrë mund t’i tejkalojmë pengesat dhe të arrijmë suksese të përbashkëta”.
Kurse ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci theksoi faktin se bujqësia dhe ekonomia e vogël janë dy fusha që Kosovës i ofrojnë mundësi reale dhe të shpejta për krijimin e vendeve të reja të punës.
Sipas tij, krijimi i një mjedisi të ri e të përshtatshëm agrobiznesor synon të rregulloj këtë tendencë me premisa të reja më të qëndrueshme zhvillimore
“Krijimi i një klime për ide dhe iniciativa të reja përkatësisht krijimi i një sistemi që i përkrah dhe stimulon fermerët për të ndërmarr hapa konkret në lëmin e bujqësisë paraqet esencën e marrëdhënieve për zhvillimin e mentalitetit ndërmarrës dhe ky sistem nuk mungon, por nevojitet një orientim më i madh drejt kërkesave të tregut. Bujqësia kosovare në të kaluarën ka qenë e orientuar më shumë nga prodhimi tani është e orientuar nga tregu i cili vazhdimisht është duke u ndryshuar”, ka thënë ministri.
Ndërkaq përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë Ranjit Nayak ka përmendur disa çështje që e bëjnë sektorin e bujqësisë të veçantë dhe me potencial për të ndihmuar edhe në zhvillimin ekonomik.
“Kosova ka një sipërfaqe të madhe të tokave të kultivueshme dhe stimuluese për produktet e ndryshme. Së dyti ka një fuqi punëtore e cila është e re dhe e cila është duke u zhvilluar edhe më tej dhe përbënë një pjesë të madhe të popullatës rurale. Së treti e ka mundësinë për të eksportuar pa kurrfarë taksash me disa përjashtime të vogla në tregun evropian. Të gjitha këto përparësi që i keni bujqësia duhet të jetë një nga shtytësit e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha Nayak.
Pas mbajtjes së konferencës është bërë edhe prezantimi i produkteve vendore nga kompanitë dhe fermerët me të mirë të Kosovës, përfituesit e granteve në vitin 2010, si dhe janë parë mundësitë për të krijuar lidhje midis profesionistëve të ndryshëm dhe palëve të interesit.
Në kuadër të konferencës do të mbahet edhe tryeza të rrumbullakëta me profesionistë dhe palë tjera të përfshira në sektorin e drithërave, hortikulturës dhe blegtorisë, ku do të jepen edhe rekomandime për hapat e mëtutjeshëm që mund të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.