Thaçi pas takimit me Cooper: Nuk ka kthim pas

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur vendosmërinë e qeverisë për të mos u kthyer pas, edhe pas zhvillimeve te reja në veri të Kosovës.
Ai tha se në takimin me ndëmjetësin evropian, Robert Cooper, Prishtina zyrtare i ka bërë edhe një herë të qarta vijat e saj të kuqe në dialog me Beogradin.
Respektimi i Kushtetutës së Kosovës, i rezolutës së Kuvendit për bisedime dhe integriteti territorial i vendit janë çështje që, sipas zotit Thaçi, nuk do të diskutohen me autoritetet e Serbisë.
“Çështja e pikave doganore 1 dhe 31, ndonëse çështje politike dhe elektorale për Serbinë, është ekzistenciale për Kosovën”, u shpreh ai.
Kryeministri Thaçi hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe tha se hapja e çështjes së kufijve për Kosovën do të nënkuptonte hapjen e çështjes së kufijve në rajon.
Megjithatë, Thaçi bëri të ditur se në takimin me zotin Cooper, Qeveria e Kosovës ka shprehur përkushtimin e saj për integrimet evropiane, mirëpo ky përkushtim, sipas tij, nuk mund të realizohet përderisa Kosova nuk ka një agjendë të qartë evropiane nga Brukseli zyrtar.