Thaçi pranon telegrame urimi nga shumë shtete
Kryeministri i Hashim Thaçi me rastin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ka pranuar telegrame nga homologë të tij nga shumë shtete. Kryeministrin Thaçi e kanë përgëzuar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i çekisë, Jan Fischer, kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryeministri i Hungarisë, Bajnai Gordon.
"Në urimet e tyre me rastin e shënimit të dy vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të gjithë kryeministrat përgëzojnë kryeministrin Thaçi për sukseset e qeverisë që drejton në konsolidimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, si dhe vlerësojnë lartë të gjitha përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e institucioneve stabile dhe efektive, me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit dhe respektim afirmativ të komuniteteve", thuhet në një komunikatë të Zyrës për informim të Kryeministrisë.
Po ashtu, homologët i kanë shprehur kryeministrit Hashim Thaçi gatishmërinë e qeverive të vendeve të tyre për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen për qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.