Thaçi uron qytetarët, në 1-vjetorin e opinionit të GJND-së
Me rastin e përvjetorit të parë të prezantimit të opinionit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi i është drejtuar me një deklaratë opinionit publik.
“Duke përkujtuar këtë ngjarje të madhe, shpreh përgëzimet më të sinqerta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, që u vunë në mbështetje të së drejtës legjitime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmon ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe integrimit”, thuhet në deklaratë.
Thaçi vlerëson se opinioni i GJND-së ishte përgjigja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si shtet i konsoliduar dhe funksional.
“Përvjetori i parë i shpalljes së opinionit të GJND-së e gjen Kosovën me institucione më të konsoliduara, me forcimin e frymës së qeverisjes së mirë, transparente dhe efikas, të sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve”.
Kryeministri deklaron se procesi i njohjeve të reja për shtetin e Kosovës është në rrugë të mbarë, si rezultat i përkushtimit institucional dhe qytetar të Kosovës për funksionimin demokratik të shtetit, dhe në të njëjtën kohë i konfirmimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë nga ana e GJND-së.
Thaçi përfundon deklaratën e tij me vlerësimin se opinioni i GJND-së ishte një sukses që i dedikohet popullit të Kosovës dhe gjithë atyre njerëzve që kanë punuar dhe janë sakrifikuar në periudha të ndryshme për shtetin e Kosovës, duke e përfunduar me falënderimin dhe mirënjohjen për SHBA-në, vendet e BE-së dhe të gjitha vendet e botës demokratike që e ndihmuan Kosovën në rrugën e saj të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit.