E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thashetheme me thesin bosh

Leksikë të ndryshëm, fjalën e përbërë në bashkimin e kohës e shkuar dhe të tashme ‘thashethem’/e e shpjegojnë si përgojosje, marrje nëpër gojë të të tjerëve, duke mos iu përgjigjur të vërtetës, ose jo plotësisht asaj etj. Disave, përmbajtja e kësaj fjale mund t’u kujtojë ato gratë e qëmotshme të provincave, të cilat për t’iu larguar paksa monotonisë së përditshme të katër mureve të shtëpisë dilnin për të fshirë sokakun dhe së bashku llafosnin mbi cilindo që kalonte andej pari, apo shihte punët e tij, pa u hedhur sytë të tjerëve. Dhe, fjala ‘thash – e - them’/e nuk e ka humbur kuptimin literal e përdorimin e gjerë të saj as në ditët tona, kur motivet e monotonisë, të vobektësisë, të smirës dhe të xhelozisë, në veçanti apo së bashku, shtyjnë shumëkënd që të marrë nëpër gojë të tjerët me të qena e të paqena dhe gënjeshtrën ta ketë moto të jetës së vet. Kjo moto është e përhapur në kohën e sotme, veçanërisht nga politikanët, të cilët duan të marrin pushtetin apo ta mbajnë atë me çdo çmim, duke shkelur edhe rregullat më elementare të etikës të vendosura prej shoqërisë njerëzore.
Është e tepërt të kujtojmë këtu shpifjet monstruoze, që jo vetëm redaksitë e disa gazetave, por edhe funksionarë të lartë të shtetit drejtojnë ndaj njërit apo tjetrit njeri të përmendur në skenën publike të vendit, për t’i zhytur këta në pellgjet e përçmimit. Njëherazi, për ta shpërqendruar kështu vëmendjen e qytetarëve nga hallet e përditshme të shumicës së tyre për mbijetesë në kohët më të vështira, çka do t’u mundësonte mjeshtërve të përgojimit që të bridhnin të patrazuar mbi kurrizin e një populli të tërë. Por, nëse këtë mënyrë djallëzore tashmë qytetarët tanë janë mësuar që më së shpeshti ta shpërfillin, ato që këta gjithnjë e më tepër nuk i durojnë dot shumë gjatë, janë gënjeshtrat e pushtetarëve për cilësinë e lartë të jetës që na bëkërkan shqiptarët, që e kategorizokërkan atë aktualisht në nivelin e mesëm dhe të lartë (?!). Kështu kanë thënë pushtetarët tanë edhe para katër apo tre vitesh vitesh, kështu thonë ata edhe tani. Tani, kur për festën e Krishtlindjes dyqanet e ushqimeve në Tiranë e gjetkë mbetën të ngrira, të heshtura, ndërsa nuk janë të paktë ata njerëz që ose vjedhin ç’të mundin, madje edhe bankat, ose rrëmojnë nëpër kazanët e mbeturinave të gjejnë teneqeçka për skrap, që t’i shesin dhe të sigurojnë pakëz ushqim për barkun e tyre të zbrazur.
Kjo pamje e trishtë ka mbuluar edhe atmosferën politike e mediatike të javës së fundit të këtij viti. Ka mbuluar këtë atmosferë jo vetëm me komercializimin e Ditës së Kërshëndellave (pemë të zbukuruara dhe shkëlqime të rreme, pa kërkuar dhe gjetur dritën e vërtetë),- dukuri që iu kundërvu edhe vetë Papa Benedikti XVI në Enciklikën e tij të fundit shumëgjuhëshe. Ka mbuluar këtë atmosferë edhe me thashetheme gënjeshtrash të paskrupullta, siç vetëm di të shprehet Kryeministri ynë, i cili s’e ka për gjë as t’u drejtohet shtetasve të vet nga kishat e Tiranës në ditën e Krishtlindjeve, për të falenderuar Zotin që i ka ndihmuar dhe po i ndihmon shqiptarët për ta festuar këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre. Por, po t’i thirret paksa kujtesës, nuk do të ishte shumë e vështirë të sillje nëpër veshë kumbimin e të njëjtave fjalë të thëna edhe para një viti, edhe para dy vitesh, edhe para pesë vitesh, edhe para 15 vitesh.
Mirë atëhere, por përsëritja e këtyre fjalëve tani kërkon guxim të madh. Dhe, një guxim i tillë realisht nuk i mungon Kryeministrin tonë, i cili trumbeton të qenit e lumturisë për gjithë shqiptarët edhe këto ditë, kur për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, agjencitë turistike njoftojnë, se kanë dalë dhe do të dalin jashtë shtetit 3 herë më pak bashkëqytetarë se sa vitin e kaluar. Këto ditë, kur për t’i përjetuar festat e këtij fundviti, agjencitë e këmbimit valutor dhe kambistët e vetmuar ankohen, se asnjëherë më parë gjatë rreth 10 viteve të shkuara qytetarët e këtij vendi, bashkë me emigrantët e kthyer këtë javë në atdhe, nuk kanë thyer dhe as shpenzuar kaq pak para sesa tani. Këto ditë, kur Kryeministri ynë del në një stacion televiziv, të pafrekuentuar më parë intensivisht prej tij, dhe vazhdon të tentojë për ta namatisur publikun, duke shqiptuar që ekonomia jonë qenka e shëndetshme dhe kjo, falë modelit politik të aplikuar nga Qeveria e tij.
Realisht, kaq e shëndetshme qenka ekonomia jonë, saqë të tërë ata që nuk e ndjejnë këtë fakt në xhepat dhe lirshmëritë e tyre duhet të jenë ose të verbër nga sytë e ballit, ose të mangët nga trutë e kokës, ose të zbrazët nga thellësitë e shpirtit? Pa shfrytëzuar burime konfidenciale dhe as studime individuale, por duke i vënë veshin njoftimeve publike me difuzione nga më të gjerat, siç janë ato të Bankës Botërore, edhe qytetarëve më optimistë u mehet goja nga të vërtetat e athta të jetës sonë. Prej një publikimi së fundmi të këtij organizmi më të madh financiar global, nga të dhënat e veta për rajonin e Ballkanit Perëndimor del që Shqipëria ka rritje ekonomike më të pakët sesa fqinjët e saj. Në bazë të shifrave të nxjerra në dritën e diellit, gjithkush do ta kuptonte fare qartë që, megjithëse vendi ynë pati kushte më të mira për të nisur rritjen gjatë qeverisjes së Berishës, formula e tij na la në bisht të të tjerëve. Konkretisht, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto e Shqipërisë ka qenë më e ulëta në Rajon gjatë viteve 2005 – 2010. Ndërkohë që janë vërejtur ritme më të larta në vitet 2000 – 2005, kur vendi ynë u klasifikua në vendin e dytë të tabelës ballkanike.
Mirëpo, edhe më të pavlera dhe të bezdisshme bëhen thashethemet e Kryeministrit tonë, për shëndetësimin e ekonomisë shqiptare nën pushtetin e vet, kur ato interferohen, kundërshtohen, përgënjeshtrohen madje edhe nga brenda qeverisjes së tij. Përkatësisht, gjatë mbledhjes së përjavshme të së hënës së javës së kaluar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri deklaroi që me ndërhyrjet e bëra në buxhetin e shtetit dhe me shkurtimet e shpenzimeve të bëra në qershor, borxhi nuk rritet në raport me vitin e kaluar, por do të ketë një rënie të lehtë. Pra, borxhi publik i vendit,– sipas tij, – ka qenë 59.7 për qind dhe mbyllet me 59 për qind. Ndërkohë që në relacionin shoqërues për rishikimin e buxhetit të këtij viti, Ministria e Financave shprehet se “gjatë vitit 2010 stoku i borxhit publik ra në nivelin 58.5 për qind të PBB, nga 59.7 për qind që shënonte në vitin 2009”. Domethënë, nëse Berisha thotë që borxhi publik qëndrokërka në nivelin e 59 për qindëve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, kjo lehtësisht të lë të kuptosh që do të ketë rritje të këtij niveli dhe jo rënie, qoftë edhe të lehtë. Rënie po, mund të kishte vetëm krahasuar me 2009-ën (viti i famshëm elektoral që ricikloi dyshimisht pushtetin e dështimeve), por jo me vitin e kaluar.
Në këto kushte, edhe nëse do t’i besohej “sinqeritetit” të Ministrisë së Financave, që prapëseprapë “u nxjerr bojën” deklaratave të Kryeministrit, çfarë duhet thënë për vitin e ardhshëm? A do të bëjë e ardhmja e afërt të mundur që shqiptarët të sfidojnë europianët e përfshirë në krizë ekonomike? Naiviteti për t’u besuar thashethemeve të Berishës do të merrte trajta proverbiale, nëse nuk do t’i zihej besë të vërtetës së parashikuar nga organizmat dhe kompanitë ndërkombëtare më të mëdha të vlerësimit. Atyre organizmave si Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim etj, si edhe atyre kompanive si MOOD’s apo Standard & Poor’s, të cilat i tërheqin vëmendjen Qeverisë shqiptare për rreziqet e pritura, kur parashikojnë që gjatë 2012–ës ekonomia jonë mund të ketë një rritje vetëm me 1 – 1.5 për qind, ndërsa të ardhura buxhetore 2 herë më pak se këtë vit. Ndërkohë që Kryeministri ynë nuk dëgjon nga ai vesh dhe kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve për arritjen e shifrave mbi dy herë më të larta.
Sidoqoftë dhe pavarësisht perceptimeve të njerëzve të thjeshtë ndaj kësaj tabloje të zymtë, nuk mund të mos u vihet në dukje pushtetarëve tanë, se duhet të përmbajnë veten (madje edhe kur llomotisin), nga bërja e çdo parashikimi optimist. Sepse është e lehtë të mundohesh që ta gënjesh dhe ta fyesh popullin tënd, por është e vështirë dhe ndoshta e pamundur të korrigjosh gabimet apo fajet e tua për të përmirësuar menjëherë jetën e tij. Nuk mund të mos u vihet në dukje pushtetarëve tanë që s’e ka pasur keq Bekoni, kur thoshte jo vetëm për shpifjet, por edhe për lëvdatat që ca e ca si ky Berisha ynë i bëjnë vetvetes: Sempre aliquid haeret (Kini gjithmonë ndonjë mëdyshje).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›