Thellohet kriza ne Eurozone

Biznesi i Eurozonës në tetor vuajti muajin më të keq që kur blloku doli nga recesioni i fundit më se tre vjet më parë, duke i detyruar ata që të shkurtojnë më shumë vende pune, në mënyrë që të reduktojnë kostot. Të dhënat janë publikuar nga agjencia e kërkimeve ekonomike Markit mbi indeksin e ecurisë së sektorëve të ekonomisë si industria dhe shërbimet. Rënia, që filloi në shtetet periferike më të vogla po godet tashmë Gjermaninë dhe Francën, duke e zhytur më thellë Eurozonën në krizë. Indeksi i përbërë i menaxherial i Markit mbi biznesin e vogël dhe të mesëm, ku janë anketuar rreth 5,000 sipërmarrje në të gjithë bllokun 17 anëtarësh të euros, dhe që shihet si një tregues i besueshëm rritjeje, ka rënë në 45.8 këtë muaj, nga leximi i shtatorit prej 46.1. Ky është leximi më i ulët që nga qershori i vitit 2009. Indeksi ka qenë poshtë referencës prej 50, që ndan rritjen nga tkurrja, që prej muajit shkurt. Drejtuesit e Markit shprehen se ndërsa shifrat zyrtare tregojnë për një rënie modeste prej 0.2-0.3% në tremujorin e tretë, indeksi i ecurisë të sektorëve industrial dhe shërbimit sugjeron se rënia mund të përshpejtohet në tremujorin aktual. Ekonomia në Eurozonë është tkurrur me 0.2% në tremujorin e dytë dhe parashikohet që të jetë reduktuar me 0.3% në të tretin, duke plotësuar përcaktimin teknik të një recesioni. Në Gjermani, ekonomia më e madhe e Europës, indeksi PMI ishte në muajin e gjashtë poshtë 50 pikëve. Në Francë, indeksi ishte nën këtë referencë për të tetin muaj në radhë.