Themelohet më 26 janar
Presidentja Atifete Jahjaga tashmë e ka në letër përbërjen e Këshillit, me të cilin pretendon ta luftojë korrupsionin në Kosovë, e ky i fundit pritet të themelohet më 26 janar të këtij viti.
Burime të Express në Presidencë kanë bërë të ditur se gjithçka është bërë gati dhe se fundi i janarit do të jetë finalizues për deklarimet, të cilat Jahjaga deri më tani i ka dhënë vetëm në opinion.
“Gjithçka është në përfundim e sipër. Më 26 janar do të themelohet Këshilli Antikorrupsion për të finalizuar atë që Presidentja ka dhënë deri më tani vetëm si deklaratë në opinion, tash do të zyrtarizohet gjithçka”, ka thënë një zyrtar i lartë i Presidencës për Express në kushte anonimiteti.
Ndërkohë që edhe struktura e këtij këshilli tashmë dihet. Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Brendshme si dhe organet e ashtuquajtura të pavarura të drejtësisë do të jenë pjesë e Këshillit Kundër Korrupsionit.
“Kryesisht do të marrin pjesë institucionet e pavarura të drejtësisë si: Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial, Agjensioni Kundër Korrupsionit dhe organizata të ndryshme joqeveritare”, ka thënë i njëjti burim.
Themelimin e këtij këshilli, Jahjaga e ka paralajmëruar në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një fjalimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
E para e Shtetit madje, pas kthimit të saj nga vizita dhjetëditëshe në Amerikë, ka thënë se ka marrë përkrahje të plotë amerikane për nismën e saj.
Ndërsa mbështetje për iniciativën e saj ka marrë edhe nga Kryeministri Hashim Thaçi, edhe pse ky i fundit ia ka bërë me dije se në ballë të luftës, të cilën po e nis Jahjaga, ka qenë dhe do të jetë Qeveria.
“... Qeveria do të vazhdojë të mbetet në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe vetëm me një gjithpërfshirje do të kemi sukses për betejën për rend dhe ligj...”, ka thënë Kryeministri Thaçi në mbledhjen e parë të Ekzekutivit për këtë vit.
Sidoqoftë, Këshilli i Jahjagës do të krijohet, edhe pse tashmë ka zëra në opinion se ai nuk ka as bazë ligjore e as kushtetuese për t’u themeluar.
Kjo, ndonëse Presidentja është thirrur në kompetencat e saj kushtetuese, kur e ka arsyetuar nismën e saj për të themeluar këtë Këshill si dhe atë për integrime europiane.
Neni 84 i aktit më të lartë juridik e politik të Shtetit përcakton qartë kompetencat e Presidentit të Shtetit, ndërkohë që askund nuk precizohet e drejta për krijimin e ndonjë këshilli të tillë, në të cilën thirret Jahjaga.