E Diel, 1 Nëntor 2026

Therën tregtarin para familjarëve, tre në pranga

OPERACIONI/ Policia e Vlorës njoftoi arrestimin e pjesëtarëve të "Grupit të Zjarrit" për vrasjen e Jorgo Zisos

Vrasja e ndodhur në vitin 1996 në fshatin Dermish mbeti pezull sidomos për shkak të djegies së dosjes në vitin 1997

SARANDË - Përfundojnë në pranga tre vetë, të cilët 14 vjet më parë vranë një tregtar në sytë e së bijës dhe bashkëshortes, pasi i grabitën të gjitha paratë që kishte në kasafortë. Policia ka arrestuar personat që në atë kohë u vetëquajtën "Grupi i Zjarrit". Ndërkohë, një i katërt është shpallur në kërkim. Ata dyshohet se përveç krimit të vitit 1996, ku mbeti i vdekur Jorgo Ziso, kanë kryer edhe vepra të tjera penale.

Ngjarja

Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar Edvin Kamberaj, 35 vjeç, Shahin Ismaili, 42 vjeç, dhe Metush Banushaj, 39 vjeç. Të gjithë këta shtetas, në bashkëpunim dhe me një person tjetër, më 2 korrik të vitit 1996 kanë hyrë në orët e mbrëmjes të maskuar në lokalin në pronësi të Jorgo Zisos, në fshatin Dermish të Sarandës. Pasi kanë marrë të gjitha paratë, ata kanë tentuar të largohen.

Por në një moment një nga grabitësit ka dyshuar se i zoti i lokalit i ka identifikuar pasi njërit prej tyre i ka lëvizur maska. Kjo gjë ka bërë që ai të qëllojë me thikë Zison duke e lënë të vdekur para............................. gruas dhe së shoqes. Përgjatë vitit 1996-1998, këta persona u vetëshpallën si "Grupi i Zjarrit".

Hetimet

Lidhur me ngjarjen filluan edhe hetimet por që mbetën pezull pas djegies së dosjeve në vitin 1997. Burime nga policia bëjnë të ditur se disa muaj më parë, njëri prej të arrestuarve ka folur në tavolinë lidhur me ngjarjen e ndodhur. Në rrugë operative një gjë e tillë është mësuar dhe si rrjedhojë kanë filluar përgjimet. Personat janë shoqëruar duke u marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.

Por ndërkohë që ishin edhe në përgjim, ata kanë folur lirisht me njëri-tjetrin, duke zbuluar edhe autorësinë e ngjarjes. Më datën 23 prill 2009, prokuroria e Sarandës ka regjistruar procedimin penal për vjedhje me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim.

Dëshmi e hollësishme për ngjarjen është marrë nga bashkëshortja e Zisos, Gafuro Ziso, dëshmitare okulare. Si rrjedhojë në pranga përfunduan Shahin Ismaili dhe Metush Banushaj, nga fshati Gjashtë, si dhe Edvin Kamberaj nga fshati Metoq i Sarandës.

Siç bëri me dije në një konferencë për shtyp drejtori i policisë së Vlorës, Ylli Metko, në sajë të një pune disamujore hetimore të mirorganizuar, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit Gjyqësor Sarandë, është kurorëzuar me sukses operacioni "Zjarri i fikur" ku u arrestuan tre shtetas, ndërsa i katërti është shpallur në kërkim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›