E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë, nga një vrasës me pagesë

DURRËS/ Policia ka zbuluar skenën e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, teksa po heton për gjetjen e autorit

Janë marrë gjurmët nga një çantë e lënë, si dhe një motor i braktisur, në të cilin dyshohet se ishin vrasësit

DURRËS - Ani Curri ka vdekur teksa tentonte të mbulonte me trup xhaxhanë e tij, objekti i parë i vrasësit. 15 plumba janë shkarkuar mbi të, dhe pasi ai ka rënë përtokë, të tjerë plumba janë qëlluar edhe mbi xhaxhanë. I fundit, inxhinieri, kishte bërtitur në momentin e ngjarjes, por edhe mbi të ishin zbrazur të tjerë plumba. 25 gëzhoja u gjetën nga ekspertët e policisë në vendin e ngjarjen, teksa tashmë dyshohet se gjithçka është kryer nga një vrasës me pagesë.

Skena e vrasjes

Ka qenë vonë dhe jashtë pikonte shi. Në lokal ishin rreth 7 klientë. Në njërën nga tavolinat qëndronte Luan Curri me nipin 18-vjeçar, ndërsa në tavolinën fqinje ishte inxhinieri Edmond Shemsi, i cili ishte klient i përhershëm.

Jashtë ka kaluar pa u vënë re një mjet motoçikletë e tipit "Honda" me ngjyrë të zezë dhe nga sedilja e pasme e motorit ka zbritur një person me gjatësi rreth 170 cm, i cili kishte me vete një çantë. Që andej ka nxjerrë një automatik kallashnikov model 56 me qytë të sharruar.

Pasi ka shtyrë derën e lokalit është përballur me objektin e përcaktuar më parë prej tij dhe që para se të vinte kishte siguruar informacion të plotë se ku ndodhej. Në momentin që ka marrë shënjestër Luan Currin, është ngritur në këmbë Ani Curri, i cili i ka dalë para vrasësit, me qëllim që të mbronte xhaxhanë, duke marrë në trup rreth 15 plumba. Pasi ka rënë nipi, është goditur edhe xhaxhai, megjithëse ka rezultuar se dy prej plumbave kanë qenë të përbashkët.

Personat në lokal deklaruan se vrasësi ishte mjaft gjakftohtë gjatë ekzekutimit, pasi ka qëlluar një nga një duke parë edhe se ku binin predhat e kallashnikovit. Inxhinieri Edmond Shemsi ka reaguar me të bërtitura ndaj këtij veprimi dhe është qëlluar edhe mbi të. Më pas vrasësi ka hedhur shikimin nga salla por i është bllokuar automatiku.

Më pas ai ka dalë nga lokali i lotosportit dhe ka hipur mbi motorin që e priste jashtë i ndezur dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Dëshmitarët që qenë në afërsi kanë hedhur dyshime mbi një makinë e cila thuhet se ka shoqëruar nga pas motoçikletën e autorëve të krimit. Në vendngjarje, kur kanë shkuar forcat e policisë kanë konstatuar se në dysheme kishin mbetur rreth 25 gëzhoja armë të modelit 56 të kalibrit 7.62 mm.

Në nxitim e sipër vrasësi nuk ka marrë çantën e automatikut, e cila ishte hedhur pranë lokalit ku ndodhi vrasja. Personat që u shkuan në ndihmë viktimave shprehën keqardhje për 18-vjeçarin i cili gëzonte një konsideratë të lartë nga të njohurit.

Hetimi

Gjatë ditës së enjte kanë nisur edhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen vonë të së mërkurës, ku mbetën të vrarë tre persona, ndërsa autorët u larguan menjëherë.

Dëshmitarë të ngjarjes ishin të tjerë njerëz që ndodheshin në lokal dhe që më pas dëshmuan se kishin parë tmerr me sy për shkak të gjakftohtësisë me të cilën vrasësi kishte qëlluar.

Një informacion i marrë paraditen e së enjtes tregonte për një motoçikletë shumëcilindratësh të braktisur.

Mësohet se motori ndodhej pranë ndërtesë së sigurimeve shoqërore të qytetit, në afërsi të tregut industrial, pranë kryqëzimit të rrugëve që lidhen me unazën dalëse të lagjes 17 në drejtim të autostradës Durrës - Tiranë. Motori i gjetur ishte i madh dhe me ngjyrë të zezë, tip "Honda". Një i tillë ishte njësoj me veshjen e autorit i cili kishte një xhup të zi dhe një kaskë grit ë errët. Kaska është gjetur gjithashtu në afërsi të motorit.

Madje edhe çelësat kanë qenë në të, çka sipas hetuesve tregon se më pas ata e kanë humbur gjakftohtësinë dhe nga frika e momentit kanë lënë pas objekte që mund t'i zbulonin.

Motori është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, teksa janë marrë gjurmët mbi kaskë, motor e çelësa. Nga informacionet paraprake që ka siguruar " Shekulli", ka rezultuar se motori është skeduar si i vjedhur. Gjithashtu mësohet se motori i gjetur nga policia fillimisht është mbajtur nën vëzhgim, për të parë se mos dikush do të kthehej për ta marrë, por pasi asgjë nuk ka ndodhur, ai është dërguar për ekspertizën shkencore.

Braktisja e motorit pas kryerjes së vrasjes së trefishtë tek lokali i Currëve ka ngritur dyshimet se një mjet i ka pritur bashkëpunëtorët për t'i larguar nga zona e rrezikut. Gjithashtu, hyrja gjakftohtë e vrasësit, ngre dyshimet e një personi të paguar për të ekzekutuar vrasjen. Deri më tani nga policia dyshohet se Luani Curri ishte objektivi, teksa po hetohet mbi të shkuarën e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›