Thirrjet për celulë të armatosur, Loka: Nuk e njoh Policinë
Kreu i Shoqatës që po hetohet për thirrje antikushtetuese, Ilir Loka, thotë se nuk i njeh vendimet e Policisë së Shtetit. “Do të vij në Tiranë të vazhdoj angazhimet e shoqatës.”
Ilir Loka, kreu i Shoqatës që po hetohet për akte radikale, sfidon hetimet e policisë dhe Prokurorisë së Tiranës. Në një prononcim për MAPO-n, kreu i shoqatës për “Mbrojtjen e të Drejtave Civile”, Ilir Loka, shprehet se nuk e njeh policinë, e për rrjedhojë as vendimet e saj. “Nuk habitem aspak për nisjen e hetimeve. Ndoshta qeveria ka vendosur të më arrestojë, me një informacion të përgatitur nga Policia. Ne si shoqatë, nuk e njohim qeverinë e Sali Berishës si qeveri legjitime të Shqipërisë, e për pasojë, nuk njohim as vendimet e Policisë së Shtetit, që veprojnë nën urdhrat politikë të Sali Berishës”,-përgjigjet Loka pas pyetjes në ishte në dijeni për hetimet e nisura nga Antiterrori ndaj shoqatës që ai drejton. Më tej, kreu i kësaj shoqate, që aktualisht ndodhet në Kanada, tha se shoqata e tij ka si aktivitet mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile në Shqipëri. “Ne nuk u trembemi kërcënimeve të tilla, të cilat synojnë të na mbyllin gojën, por jemi të vendosur të vazhdojmë aktivitetin tonë”, shkruan Loka në përgjigjen e tij për MAPO-n. Në lidhje me hetimin e nisur ndaj tij dhe tre bashkëpunëtorëve, Ilir Loka thotë se do të vijë vetë në Tiranë për të vazhduar aktivitetin e shoqatës dhe për t’u përballur me akuzat. “Personalisht, do kthehem shumë shpejt në Shqipëri, për të vazhduar aktivitetin e Shoqatës, sipas axhendës së paraqitur më sipër”, - thotë kryetari i OJF-së që është nën hetim për thirrje antikushtetuese. Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile, e drejtuar nga Loka, po hetohet për veprimtari dhe thirrje antikushtetuese nga ekspertët e Antiterrorit në Tiranë. Në disa njoftime të shpërndara nga kjo shoqatë, këta të fundit kanë paralajmëruar madje dhe krijimin e forcave ushtarake “Shqiponja”, duke u premtuar rekrutëve pajisjen me armë. Sipas shoqatës, forcat speciale do të kenë përfaqësi në çdo qytet të Shqipërisë dhe do të kenë për objektiv “rezistencën kundër qeverisë”. H.Hasani