E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu Rama te anuloje protesten. Eksperte amerikane per hetimin

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu del sërish para medias për të shprehur qëndrimin e SHBA për ngjarjet në Tiranë. Edhe një herë diplomati amerikan doli në mbrojtje të prokurorisë dhe hetimeve të nisura prej saj për ngjarjet e 21 janarit, duke konfirmuar ardhjen e ekspertëve amerikanë që do të asistojnë punën e organit të akuzës. Por i dërguari i SHBA në Tiranë kërkoi që askush të mos ndërhyjë apo të kërcënojë institucionet e drejtësisë.

"Në mënyrë që Shqipëria të funksionojë si demokraci është absolutisht e rëndësishme që institucionet e pavarura, sidomos ato të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, të ruajtjes së sundimit të ligjit të lejohen të funksionojnë pa ndërhyrje apo pa kërcënime të asnjë pale, qoftë qeverisë, qoftë opozitës. Dje pasdite gjatë konferencës për shtyp  në Prokurorinë e Përgjithshme vura në dukje mbështetjen e plotë dhe tërësore të SHBA për atë institucion. Në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme për ndihmë teknike, me kënaqësi raportoj se është e favorshme dhe në ditët dhe javët në vijim ne do të punojmë me prokurorinë për të ndihmuar hetimin. Ndaj kam këtë mesazh për cilindo, lëreni drejtësinë të kryejë punën e saj", tha Arvizu.

Ambasadori Arvizu nuk është rezervuar të përgëzojë kryeministrin për anullimin e tubimit të PD duke shprehur në krahun tjetër keqardhjen që kryetari i opozitës nuk ka marr në konsideratë sugjerimin për anullimin e tubimit të së premtes.

"Dje u ftova për një drekë nga kryeministri Berisha. Gjatë kësaj bisede i kërkova të anullonte protestën e PD të parashikuar për të shtunën. Unë gjithashtu i shpreha shqetësimin për retorikën e ndezur politike nga të gjitha anët, dhe i kërkova që ai të bënte pjesën e tij për ta ulur atë. Dje në mbrëmje SHBA përgëzoi vendimin e kryeminsitrit për anulimin e tubimit. Ishte një veprim prej burri shteti dhe ishte i duhuri. Dje në mbrëmje kalova pothuajse 100 minuta me kryetarin e opozitës. I shpreha pikëpamjet se dhuna e mëtejshme nuk do të ndihmojë Shqipërinë të luftojë korrupsionin apo për të cuar përpara aspiratat integruese të popullit shqiptar. I kërkova z. Rama të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të opozitës që ishte parashikuar për këtë të premte. E gjej jashtëzakonisht për të ardhur keq që Z. Rama është shprehur se ka ndërmend të kryejë tubimin ditën e premte. E nxis me forcë që të rishikojë vendimin e tij", vijoi Arvizu.

Arvizu konsideroi të rëndë situatën në Shqipëri kur tha se papajtueshmëria është tashmë e thellë dhe e dukshme, por nëse palët kanë vullnet mund të arrihet në kompromis, deklaroi ai. Referuar pyetjes nëse zgjedhjet e parakohshme janë një mundësi për kompromis, ambasadori amerikan tha: Nëse ka dicka kushtetuese dhe palët bien dakord pse jo. Por theksoj që celësi është që të jenë kushtetuese dhe palët të bien dakord për këtë".

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka qenë vecanërisht aktiv në qëndrimet mbi ngjarjet e 21 janarit dhe mesazhet për politikën shqiptare.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›